Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, Dion Ejupi, Armira Muçolli dhe Agnesa Misini, janë shpallur fitues të garës “ELSA Albania Negotiation Competition (ENC)”, një garë akademike e fokusuar në simulimin e negociimit të mosmarrëveshjeve civile dhe komerciale.

Gara simulon procese reale negociatore, ku ekipet përfaqësojnë palë hipotetike me interesa të kundërta dhe synojnë arritjen e një marrëveshjeje sa më të favorshme për klientin e tyre, përmes aftësive juridike, strategjisë negociuese dhe bashkëpunimit ekipor.


Armira Muçolli, duke folur në emër të tre studentëve garues, ka rrëfyer për Telegrafin sfidat që i kanë shoqëruar gjatë përgatitjeve për këtë sukses, duke theksuar se pengesa kryesore ka qenë mungesa e një përgjigjeje institucionale në fillim të procesit.

“Sfida kryesore ka qenë mungesa e një përgjigjeje institucionale në fillim të procesit. Fillimisht ELSA kishte kontaktuar fakultetin, pastaj edhe ne si studentë kemi dërguar kërkesë për të kuptuar nëse mund të formonim ekip dhe të merrnim pjesë, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, ka thënë Muçolli.

Sipas saj, kjo situatë i ka vendosur studentët përballë paqartësive, pasi nuk kanë ditur nëse u duhej miratim formal nga fakulteti apo nëse mund të vazhdonin vetëm me iniciativë studentore.

“Kjo na vendosi në një situatë të paqartë, sepse nuk e dinim nëse duhej miratim formal nga fakulteti apo nëse mund të vazhdonim vetëm me iniciativë studentore. Zakonisht, për mundësi të tilla, Dekanati duhet të jetë mbështetës dhe bashkëpunues, sidomos kur bëhet fjalë për aktivitete që promovojnë studentët dhe fakultetin”, ka shtuar ajo.

Megjithatë, Muçolli ka theksuar se, duke e parë rëndësinë e garës dhe entuziazmin e studentëve, kanë vendosur të vazhdojnë me aplikimin dhe përgatitjet.

“Duke e parë rëndësinë e garës dhe entuziazmin e studentëve, vendosëm të vazhdojmë me aplikim dhe përgatitje”, ka deklaruar ajo.

Përveç mungesës së përgjigjes, studentët janë përballur edhe me vështirësi praktike gjatë procesit, përfshirë mungesën e hapësirave për ushtrime.

“Edhe gjatë procesit kemi pasur vështirësi praktike, përfshirë mungesën e hapësirave për ushtrime, edhe pse në fakultet ka salla që shpesh nuk shfrytëzohen. Për këtë arsye, shumicën e zgjidhjeve organizative është dashur t’i gjejmë vet si ekip”, ka theksuar Muçolli.

Në fund, ajo ka vlerësuar se gara ka qenë një përvojë shumë e vlefshme dhe se iniciativa të tilla duhet të mbështeten më shumë në të ardhmen.

“Pavarësisht këtyre sfidave, gara ka qenë një përvojë shumë e vlefshme për ne dhe besojmë që pjesëmarrja në iniciativa të tilla duhet të mbështetet më shumë në të ardhmen”, ka shtuar Muçolli.

Gara është organizuar nga ELSA Albania, si degë e Shoqatës Evropiane e Studentëve të Drejtësisë (“*ELSA*”), në bashkëpunim me Frost and Fire Consulting dhe Ivanaj Foundation ne Shqipëri, dhe ka mbledhur ekipe studentësh nga universitetet shqipfolëse të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Veçanërisht i rëndësishëm mbetet fakti se ekipi i Universitetit të Prishtinës është formuar me vetiniciativë të vetë këtyre tre studentëve, të cilët kanë organizuar në mënyrë të pavarur të gjithë përgatitjen dhe pjesëmarrjen e tyre në garë.

Përmes punës së palodhshme, përkushtimit dhe angazhimit tërësisht vetanak, ata arritën të përfaqësojnë me sukses Fakultetin Juridik dhe Universitetin e Prishtinës në këtë garë rajonale, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi, aftësi negociuese dhe kulturë juridike./Telegrafi/