Goditje tjetër për opozitën turke - gjykata nuk ia njeh liderin partisë

Një gjykatë turke ka anuluar zgjedhjen e udhëheqjes së Partisë Popullore Republikane (CHP), partisë kryesore opozitare në Turqi, duke shkaktuar trazira politike dhe reagime të ashpra nga opozita.
Vendimi lidhet me kongresin e vitit 2023, ku Özgür Özel u zgjodh kryetar i partisë, shkruan euronews.
Prokurorët pretendojnë se gjatë kongresit kishte blerje votash dhe premtime për poste pune në këmbim të mbështetjes për Özelin.
Një gjykatë më herët e kishte hedhur poshtë rastin për mungesë provash, por pas apelimit, gjykata e lartë vendosi ta rrëzojë rezultatin e zgjedhjeve të brendshme të CHP-së.
Vendimi pritet të rikthejë në krye të partisë ish-liderin Kemal Kılıçdaroglu, ndërsa opozita e ka cilësuar procesin si “grusht gjyqësor” të orkestruar nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan për të dobësuar kundërshtarët politikë.
CHP kishte fituar terren të madh politik pas zgjedhjeve lokale të vitit 2024, ku shënoi fitore të rëndësishme kundër partisë në pushtet AKP.
Kritikët thonë se presioni gjyqësor ndaj opozitës është rritur sidomos pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit Ekrem İmamoglu, i cili konsiderohet rivali më i fortë i Erdoganit.
Pas vendimit të gjykatës, tregjet financiare në Turqi reaguan negativisht: indeksi kryesor i bursës ra me mbi 6 për qind dhe tregtimi u pezullua përkohësisht. Analistët paralajmërojnë se kriza mund të thellojë pasigurinë politike dhe ekonomike në vend. /Telegrafi/












































