Chelsea nis negociatat për yllin e Barcelonës me kërkesë të Xabi Alonsos


Chelsea ka shfaqur interesim për transferimin e Dani Olmos gjatë afatit kalimtar të verës, me kërkesë të trajnerit të ri Xabi Alonso, i cili e sheh spanjollin si një përforcim ideal për repartin ofensiv para sezonit të ardhshëm në Ligën Premier. ‘Blutë’ thuhet se po përgatisin një ofertë prej 70 milionë eurosh.
Projekti i udhëhequr nga tekniku bask, i cili pritet të marrë zyrtarisht drejtimin e skuadrës në ‘Stamford Bridge’, synon të rikthejë Chelsean mes elitës së futbollit anglez përmes transferimeve të profilit të lartë.
Drejtuesit e klubit londinez janë të vendosur t'i ofrojnë trajnerit të ri të gjitha mjetet e nevojshme për ta kthyer skuadrën në garë për trofetë më të rëndësishëm.
Një nga objektivat kryesorë të Alonsos për repartin ofensiv është Dani Olmo, të cilin ai e konsideron si pjesën kyçe për të rritur kreativitetin dhe cilësinë në zonën e mesfushës.
Trajneri spanjoll dëshiron të ndërtojë një repart sulmues spektakolar, ku Olmo do të kombinohej me talentin premtues të Estevaos, cilësitë e Cole Palmer dhe shpejtësinë e Joao Pedro.
Vizoni i lojës, aftësia krijuese dhe inteligjenca taktike e 28-vjeçarit kanë bindur stafin teknik të Chelseat, i cili kërkon më shumë dinamizëm dhe efikasitet në fazën sulmuese.
Ndërkohë, qëndrimi i Barcelonës mund t'ia lehtësojë Chelseat realizimin e këtij transferimi. Drejtuesit katalanas e konsiderojnë Olmon si një nga lojtarët që mund të shitet gjatë verës për të siguruar të ardhura shtesë.

Edhe pse ai ka kontratë deri në verën e vitit 2030, paraqitjet e tij të paqëndrueshme gjatë sezonit të fundit kanë ngritur pikëpyetje në 'Camp Nou'.
Olmo e mbylli sezonin me tetë gola dhe dhjetë asistime në 49 paraqitje zyrtare, por drejtori sportiv Deco dhe drejtuesit e klubit besohet se janë të gatshëm të dëgjojnë oferta për largimin e tij.
Barcelona synon të përdorë rreth 70 milionë eurot e mundshme nga shitja e Olmos për të financuar transferime të tjera që do t'i japin më shumë alternativa taktike trajnerit Hansi Flick për sezonin e ardhshëm./Telegrafi/






































