Bullgaria i bëri një pritje madhështore Darës në aeroportin e Sofjes pas fitores në Eurovision

Qindra qytetarë e pritën të dielën në Sofje këngëtaren bullgare Dara, pasi ajo fitoi në Vjenë edicionin e 70-të të Eurovisionit dhe i solli Bullgarisë fitoren e parë në historinë e këtij festivali.
E lodhur, por e buzëqeshur, 27-vjeçarja mbërriti në aeroportin “Vasil Levski” duke mbajtur në duar trofeun e fitueses.
Mediat bullgarei dhanë rëndësi të veçantë kthimit të saj, ndërsa disa televizione ndryshuan programacionin e rregullt për të transmetuar live momentin e mbërritjes.

Pas uljes, Dara u shpreh se kjo fitore është një hap i madh për të: “Ky çmim shënon fillimin e karrierës sime të ardhshme ndërkombëtare”.
Ajo shtoi se ekipi i saj ka bërë një gjë të madhe për muzikën bullgare dhe shprehu shpresën që suksesi i saj të dërgojë një mesazh se artistët dhe krijuesit në Bullgari meritojnë më shumë mbështetje.
Këngëtarja, emri i vërtetë i së cilës është Darina Yotova, triumfoi të shtunën në finalen e madhe, duke lënë pas 24 konkurrentë të tjerë.

Fitoren ia siguroi kënga “Bangaranga”, e shoqëruar me një performancë që mori vlerësime si nga juritë kombëtare të vendeve pjesëmarrëse ashtu edhe nga publiku ndërkombëtar, votat e të cilëve së bashku vendosin fituesin.
Në aeroport, mes zyrtarëve që e pritën, ishte edhe kryetari i Bashkisë së Sofjes, Vassil Terziev, i cili deklaroi se kryeqyteti është i gatshëm të presë edicionin e radhës në 2027, vit që për Bullgarinë përkon edhe me shënimin e 20-vjetorit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com
























































