Ndeshja mes Nantes dhe Toulouse u shndërrua në kaos të plotë dhe u ndërpre përfundimisht në stadiumin “Stade de la Beaujoire”, pas një pushtimi të fushës dhe përleshjeve në tribuna. Në vend të një përballjeje të tensionuar sportive, mbrëmja u kthye në një natë trazirash, ku futbolli mbeti në plan të dytë.

Në stadium u luajtën vetëm 22 minuta futboll. Atmosfera ishte e ndezur që në fillim, veçanërisht për shkak se kjo ishte ndeshja e fundit e Nantes në Ligue 1, në një moment kur klubi sapo kishte rënë nga kategoria.


Rënia nga elita kishte thelluar edhe më shumë konfliktin mes ultrasve dhe drejtuesve të klubit, ndërsa takimi ishte konsideruar i rrezikshëm në aspektin e sigurisë.


Pushtimi i fushës brenda pak çastesh

Para fillimit të ndeshjes pati edhe një moment ceremonial, pasi Vahid Halilhodzic – trajneri vendas u duartrokit nga stadiumi, duke marrë një dhuratë simbolike. Megjithatë, qetësia zgjati pak. Që nga fishkëllima e parë, u dëgjuan fishkëllima dhe reagime të ashpra nga tribunat.

Pas rreth 20 minutash pa incidente serioze, situata u përshkallëzua. Nga tribunat u hodhën gjithçka drejt fushës, ndërsa raportohet se një fishekzjarr përfundoi në tapetin e lojës.

Më pas, dhjetëra persona të veshur me të zeza, disa me fytyra të mbuluara, tifozë të Nantes u futën me forcë në fushë, duke ndërprerë menjëherë ndeshjen. Barrierat e sigurisë u shembën dhe u krijua panik.


Ndeshja ndërpritet, ndërhyn policia

Raportohet se Halilhodzic reagoi menjëherë, duke iu drejtuar me zemërim personave që pushtuan fushën, por më pas u tërhoq nga sigurimi dhe u kthye në dhomën e zhveshjes, i tronditur nga situata.

Policia u detyrua të ndërhyjë shpejt për të rivendosur rendin. Fillimisht u përpoq të largojë tifozët nga fusha dhe t’i kthejë në tribuna, por më pas pati edhe përplasje, ndërsa siguria në stadium nuk mund të garantohej.

Pas konsultimeve, u vendos që takimi të mos vazhdonte. Gjyqtarja Stéphanie Frappart dhe delegati i Ligue 1 konfirmuan se ndeshja u anulua me urdhër të prefektit, për arsye sigurie.


Tani pritet vendimi zyrtar i organeve kompetente për mënyrën se si do të trajtohet kjo ndeshje në aspektin disiplinor dhe sportiv. /Telegrafi/

telegrafi sport app