Bernardo Silva zbulon arsyen pse e pranoi menjëherë ofertën e Real Madridit

Bernardo Silva ka zbuluar se e pranoi menjëherë ofertën e Real Madridit, duke e përshkruar transferimin si një ëndërr dhe duke thënë se gjiganti spanjoll është zgjedhja më e mirë për karrierën dhe familjen e tij.
Duke folur për Real Madrid TV pas ceremonisë së mirëseardhjes në “Real Madrid City”, mesfushori portugez tregoi se si u ndje me të mbërritur në klub.
“Jam shumë i lumtur. Kur vini këtu, jeni në këtë dhomë me presidentin dhe ju tregojnë të gjitha trofetë”.
“E dija tashmë se sa i madh është Real Madridi, por kur e përjeton nga afër, e ndien vërtet. Jam shumë i lumtur që mund të luaj për këtë klub”.

Silva tha se dëshira për të luajtur për Real Madridin daton që nga fëmijëria.
“Që kur isha i vogël, kur ende nuk e dija nëse do të bëhesha futbollist apo jo, ëndrra ime ishte të luaja për një klub si Real Madridi”.
“Të jem këtu, të luaj për këtë klub, të përpiqem të fitoj trofe dhe të ndjek rrugën fituese të Real Madridit, është diçka shumë e veçantë”.
Mesfushori zbuloi se nuk kishte pasur asnjë hezitim kur Reali shfaqi interesimin për të.
“Kur më telefonoi Real Madridi, nuk pata asnjë dyshim. Kur më telefonuan dhe më thanë se ishin të interesuar, thashë menjëherë po, pa u menduar dy herë, sepse besoj se është zgjedhja më e mirë për mua, për karrierën time dhe për familjen time. Të jem këtu është një ëndërr", përfundoi ai./Telegrafi/













































