LAJMI I FUNDIT:

Bashkimi kampion i Kosovës në basketboll, për herë të parë në histori

Bashkimi kampion i Kosovës në basketboll, për herë të parë në histori

Bashkimi është shpallur kampion i Kosovës në basketboll, pasi ka mposhtur Prishtinën në ndeshjen e katërt me rezultat 77-61, për të mbyllur serinë me rezultat 3-1. Ky është titulli i parë i kampionit për Bashkimin në histori, i cili edhe erdhi në mbrëmjen më të madhe të parë ndonjëherë në Prizren.

Në një atmosferë impozante mbi tre mijë shikues ishin mbledhur në Prizren, për atë që ishte absolutisht mbrëmja më e madhe basketbollistike e vitit, duke parë që vendasve u nevojitej vetëm një fitore për të siguruar titullin e parë në histori.


Arpagjikët u kthyen në sallë, pasi tifogrupi bojkotoi klubin gjatë gjith sezonit për shkak të disa mosmarrëveshjeve – por ata ishin më të zëshëm se kurrë dhe përkrahën skuadrën e tyre në mënyrë fantastike.

Pamje impozante nga palestra “Sezai Surroi”, palestra e cila u stërmbush, Foto: Telegrafi

Prishtina në këtë takim startoi me pesëshe të gjatë, me Bundovicin i cili luajti nga minuta e parë, ndryshe nga ndeshjet e kaluara, kurse te Bashkimi nuk kishte ndryshime nga ndeshjet e kaluara.

Prishtina e nisi më mirë takimin duke krijuar epërsi fillëstare falë Bundovicit, kurse Altin Morina ishte aty për t’u përgjigjur duke qenë i pandalshëm me tri treshe të realizuara nga tri tentimet e para.

Arpagjikët u ritkthyen për ta ndezur atmosferën, Foto: Telegrafi

Çereku i parë përfundoi me rezultat të barabartë, dhe Bashkimi pati seri të mirë në fillim të fraksionit të dytë, duke çuar epërsinë deri në 9 pikë.

Banka e Bashkimit, Foto: Telegrafi

Por, Prishtina është kthyer në lojë falë Edmond Azemit i cili ishte i saktë në ekzekutim, teksa në mbrojtje Fisnik Rugova dhe Alban Veseli ishin të rëndësishëm duke nisur kundërsulmet.

Trofeu i çmuar, Foto: Telegrafi

Edhe pse Prishtina pati aksionet më të qarta me ‘splits’ të bukur dhe dalje nga ‘pick & rolli’, mbrojtja e Bashkimit funksionoi që falë individëve në sulm arriti edhe të mbajë ndeshjen nën kontroll.

Medaljet ishin bërë gati para ndeshjes, Foto: Telegrafi

Pjesa e dytë u karakterizua në çerek të tretë me lojë të barabartë, ku dyja skuadrat tentuan të krijonin epërsi, por në fund Bashkimi pati epërsi minimale prej një pikëve.

Shumë gabime personale dhe mungesa e ekzekutimit në sulm në çerekun e katërt, bënë që Bashkimi të ketë mundësi që të krijojë epërsi, ku së pari Moss me disa shënime akrobatike, më pas Zenelaj me dy shënime dhe në fund Tmusic dhe Altin Morina me realizime vendimtare, bënë që epërsia të shkonte deri në 17 pikë me dy minuta të mbetur në lojë.

Atmosfera impozante ndikoi në lojë, Foto: Telegrafi

Më i miri te Bashkimi ishte Aaron Moss me 17 pikë e 12 asistime dhe Mikaile Tmusic me 17 pikë nga tri treshe vendimtare dhe Altin Morina me 16 pikë.

Te Prishtina i vetmi ishte Bundovic që shënoi 24 pikë, kurse të tjerë lojtarë nuk patën impakt të madh në lojë çka ndikoi që të vijë edhe kjo humbje.

Festa e madhe, Foto: Telegrafi

Ky është trofeu i parë i Bashkimit në histori të klubit duke mbyllur serinë finale me rezultat 3-1 ndaj kampiones aktuale, Sigal Prishtina.

Ky është suksesi më i madh për sportin e Prizrenit që nga paslufta. /Telegrafi/