Barcelona rrezikon të humbasë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës


Barcelona po përballet me vështirësi të mëdha financiare dhe administrative në përpjekjet për të siguruar përfundimisht shërbimet e Joao Cancelos, sipas raportimeve nga media spanjolle.
Mbrojtësi portugez iu bashkua klubit katalanas në janar në formë huazimi gjashtëmujor nga skuadra saudite Al Hilal dhe shpejt arriti të bindte stafin teknik me paraqitjet e tij.
Nën drejtimin e Hansi Flick, Cancelo tregoi nivel të lartë në krahun e majtë të mbrojtjes, duke fituar vendin e titullarit dhe duke lënë në stol talentin e akademisë, Alejandro Balde.

Megjithatë, bisedimet mes Barcelonës dhe Al Hilal për një transferim të përhershëm kanë ngecur plotësisht.
Deri më tani nuk është arritur asnjë përparim i rëndësishëm në negociata, duke e bërë të pasigurt të ardhmen e lojtarit në “Camp Nou”.
Nëse situata vazhdon të mbetet e bllokuar gjatë verës, drejtuesit e Barcelonës mund të detyrohen të shqyrtojnë alternativa të tjera për repartin defensiv./Telegrafi/





































