LAJMI I FUNDIT:

Alonso: Vettel nuk e ka përmirësuar Ferrarin

Alonso: Vettel nuk e ka përmirësuar Ferrarin

Largimi nga Ferrari ka qenë një nga momentet më të këqija për Fernando Alonson.

Spanjolli u zëvendësua nga Sebastian Vettel për të nisur një cikël të ri pas vështirësive në dekadën e fundit, por as me gjermanin në timon, skuadra italiane nuk arrin të zbulojë formulën fituese. Pak më shumë se një vit pas largimit nga Maranello me destinacion McLaren, Alonso hedh disa thumba në adresë të kokëkuqes.


“Makina është më e mirë tani se sa në kohën kur unë isha pjesë e tyre por skuadra nuk është përmirësuar ende në krahasim me epokën time”.

Një sulm i drejtëpërdrejtë nga ana e dy herë kampionit të botës në adresë të Ferrarit dhe pasardhësit të tij, Sebastian Vettel. Gjithsesi, Alonso kujdeset që fjalët të jenë të matura, duke u përqëndruar te kujtimet pozitive në Maranello.

“Aty kalova një periudhë magjike dhe vazhdoj t’i kujtoj ato momente. I kam përherë në zemër të gjithë që punuan me mua. Kam një makinë Ferrari në garazhin tim, ndërsa në shtëpi shfletoj përherë albumin me fotot e shumta gjatë kohës kur isha i veshur i gjithi me të kuqe”.

Pas largimit nga Ferrari, Alonso nënshkroi me McLaren por te skuadra angleze situata vazhdon të mbetet kaotike. Makina nga Woking vazhdon të ketë probleme të mëdha dhe Alonso nuk ka arritur të sigurojë asnjë podium.