Deputetja e Kuvendit dhe këngëtarja e dorëzoi deklarimin “me rastin e marrjes së detyrës” më 11 mars 2026, ku figurojnë edhe angazhimet e saj në UBT dhe në një kompani private.

Këngëtarja dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Adelina Thaqi Meta, ka dorëzuar deklarimin e pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, në kuadër të regjistrit për deklarimin e pasurisë.


Sipas dokumentit, deklarimi është bërë me rastin e marrjes së detyrës dhe është dorëzuar më 11 mars 2026, ndërsa Thaqi Meta është e emëruar në funksionin deputete e Kuvendit të Kosovës që nga 11 shkurt 2026.

Te pasuritë e luajtshme mbi 3 mijë euro, ajo ka deklaruar një veturë BMW, të blerë në vitin 2016, me vlerë 11,500 euro, me pronësi të shënuar si e përbashkët.

Foto: Agjencioni për Parandalimin e Korrupsionit

Ndërkaq, te rubrika e pasurive të paluajtshme, në deklarim figuron se nuk ka të dhëna të deklaruara.

Përveç mandatit si deputete, Thaqi Meta ka deklaruar edhe funksione/aktivitete të tjera, përfshirë angazhimin si ligjëruese në Kolegjin UBT (Bachelor dhe Master – lënda Teknikë Vokale), që nga 02 dhjetor 2019, si dhe angazhimin si trajnerja e vokalit (Vocal Coach) në Hidden Records L.L.C., që nga 02 shkurt 2026.

Në pjesën e detyrimeve financiare, ajo ka deklaruar kredi në Raiffeisen Bank Kosovo për blerje të patundshmërisë, me datë fillimi 05.08.2021 dhe afat mbarimi 05.08.2036 (120 muaj). Vlera fillestare e kredisë është 90,000 euro, ndërsa vlera e mbetur figuron 74,919 euro, me pronësi të shënuar të përbashkët.

Foto: Agjencioni për Parandalimin e Korrupsionit

Te paratë e gatshme/kursimet në bankë, deputetja ka deklaruar 5,060 euro në Raiffeisen Bank Kosovo, të përshkruara si kursime/kompensim nga sigurimi shëndetësor.

Në rubrikën e të ardhurave vjetore, Thaqi Meta ka deklaruar 1,547 euro pagë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, 713 euro nga Kolegji UBT, si dhe 500 euro nga Hidden Records L.L.C.. Ndërsa për bashkëshortin/ën janë deklaruar 1,732 euro pagë nga Thaci Group shpk.

Foto: Agjencioni për Parandalimin e Korrupsionit

Sipas deklarimit, ajo nuk ka shënuar të dhëna për aksione në shoqëri tregtare, letra me vlerë apo kriptovaluta, ndërsa nuk figurojnë as donacione në parti politike apo shpenzime/donacione të tjera. /Telegrafi/