LAJMI I FUNDIT:

Hoti flet për takimin e Ohrit: Më në fund po lëvizim drejt hapave konkret për zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë

Hoti flet për takimin e Ohrit: Më në fund po lëvizim drejt hapave konkret për zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë

Djali i veprimtarit të çështjes kombëtare Ukshin Hoti, njëherësh kryetar i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, Andin Hoti është deklaruar për takimin e së shtunës në Ohër.

Përmes një shënimi në Facebook, Hoti që ishte i pranishëm në Ohër si pjesë e delegacionit të Kosovës thotë se për herë të parë është lëvizur drejt hapave konkret për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me forcë.


“Shpresoj që më në fund po lëvizim drejt hapave konkret për zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë. Për gati 24 vjet fati i tyre është mbajtur peng nga marrëdhëniet tona normale. Njerëzit tanë nuk e kanë merituar një trajtim kaq brutal edhe pas përfundimit të luftës”, ka shkruar Hoti.

Ai thotë se me ndihmën e miqve u art të adresohet kjo çështje shumë e rëndësishme për Kosovën.

“Prandaj, me ndihmën e miqve tanë, sot arritëm ta imponojmë adresimin e drejtë të përgjegjësisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë jo vetëm zgjidhje por edhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare”.

Ai vijon tutje se deklarata, e cila pritet të miratohet, ka për qëllim përveç tjerash, marrjen e informatave për të gjithë personat e zhdukur nga Serbia, si dhe trajtimin e dinjitetshëm të tyre si persona të zhdukur me forcë.

“Mos miratimi dhe pastaj zbatimi i kësaj deklarate nga ana e Serbisë, nënkupton shkelje të marrëveshjes dhe aneksit të saj të garantuar nga Bashkimi Evropian”.

Hoti thotë se Komiteti i përbashkët i kryesuar nga BE e ka për obligim tashmë, të siguroj zbatimin e deklaratës për persona të zhdukur, pas miratimit të saj.

“Zotimi me deklaratën për persona të zhdukur si deklaratë e veçantë në kuadër të marrëveshjes, tregon se çështja e të zhdukurve nuk është thjesht një ndër temat, por është kryetema që i paraprin të gjitha çështjeve të tjera drejt normalizimit dhe njohjes në të ardhmen”, ka përfunduar Hoti.

Ndryshe, të shtunën shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.

Duke iu adresuar gazetarëve, ai tha se kjo është një “arritje e rëndësishme”.

“Ajo që palët pranuan, është që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”, tha Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”./Telegrafi/