Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është zyrtarizuar Kosova Music Rights Society (KMRS), organizata e re që do të menaxhojë të drejtat e autorit në fushën e muzikës në Kosovë.

Në një konferencë informuese me temën “Fuqizimi i të drejtave muzikore përmes menaxhimit kolektiv”, u prezantua roli dhe objektivat e kësaj organizate, e cila synon mbrojtjen e të drejtave të autorëve, kompozitorëve, interpretuesve dhe producentëve të muzikës, duke siguruar menaxhim transparent dhe kompensim të merituar për përdorimin e veprave të tyre artistike.


Në ceremoni morën pjesë Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, Sekretari i Përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislimi, Kryetarja e KMRS-së, Kaltrina Mehmeti, si dhe përfaqësues të komunitetit artistik dhe institucional.

Foto: Facebook

Kryeministri Kurti e konsideroi themelimin e KMRS-së si një hap kyç për respektimin e krijuesve kosovarë dhe për integrimin e Kosovës në rrjetin evropian të mbrojtjes së të drejtave autoriale.

Ndërsa Sekretari Bislimi dhe Mehmeti theksuan se KMRS do të jetë organi i vetëm i autorizuar për menaxhimin e të drejtave autoriale në muzikë, duke përfaqësuar një mbështetje historike për komunitetin artistik.

Kjo nismë krijon një sistem të qëndrueshëm dhe të besueshëm për menaxhimin e të drejtave të autorëve në muzikë dhe pritet të fuqizojë zhvillimin social, kulturor dhe ekonomik në përputhje me standardet evropiane. /Telegrafi/