LAJMI I FUNDIT:

Zyrtare: Julen Lopetegui do ta drejtojë Real Madridin

Zyrtare: Julen Lopetegui do ta drejtojë Real Madridin
(Foto: Getty Images)

Julen Lopetegui do të jetë trajner i ri i Real Madridit – thuhet në një njoftim zyrtar të klubit spanjoll.

Përzgjedhësi i Spanjës do ta marrë drejtimin e Los Blancos pas përfundimit të Kampionatit Botëror.


“Julen Lopetegui do të jetë trajner i Real Madridit pas përfundimit të Kampionatit Botëror 2018. Real Madridi bën të ditur se Julen Lopetegui do të jetë trajner i ekipit të parë në tri sezonet e ardhshme”.

“Julen Lopetegui do t’i bashkohet klubit pas pjesëmarrjes së ekipit të Spanjës në Kampionatin Botëror, pasi ka qenë dy vite në krye të ekipit kombëtar”, thuhet në njoftimin e Los Blancos.

Trajneri i ri vjen pas vendimit të Zinedine Zidane për t’u larguar nga posti, përkundër suksesit të madh me Mbretërit.

Ish-trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane (Foto: Getty Images)

Lopetegui ka qenë pjesë e Realit si i ri, mirëpo ka regjistruar vetëm një paraqitje për ekipin e parë.

Gjatë karrierës si futbollist, ai ka qenë edhe pjesë e Barcelonës, ndërsa ka luajtur edhe për klubet, si Las Palmas e Rayo Vallecano. Këtë të fundit edhe e ka drejtuar si trajner.

Lopetegui ka qenë pjesë e Realit si i ri (Foto: Getty Images)

Po ashtu, ka qenë trajner i Real Madrid B dhe Portos, ndërsa përfaqësuesen e Spanjës e ka udhëhequr që nga rangjet U-19, U-20 dhe U-21.

Në vitin 2016, ai e mori drejtimin e ekipit A të kombëtares së Spanjës dhe është një prej favoritëve për ta fituar Kampionatin Botëror në Rusi. /Telegrafi/