LAJMI I FUNDIT:

Zonja A, viktima e parë që Bosnja duhet ta dëmshpërblejë për përdhunim në luftë

Zonja A, viktima e parë që Bosnja duhet ta dëmshpërblejë për përdhunim në luftë

Dhjetë vjet dëshmi të dhimbshme dhe kohë shumë e gjatë e kaluar nga gjykata në gjykatë, duket se nuk shkuan dëm për klienten e Nexhlla Shehiqit – avokate e një viktime të dhunës seksuale gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Zonja A, pseudonim i vënë nga Ministria e Shtetit për të Drejtat e Njeriut dhe Refugjatët, mund të jetë viktima e parë e dhunës seksuale gjatë luftës, së cilës shteti i Bosnjës do t’i paguajë dëmshpërblim prej 15 mijë eurosh.


Pagesa u urdhërua nga Komiteti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Kundër Torturës në vitin 2019, pasi Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës vendosi në vitin 2015 që autori i përdhunimit, Slavko Saviq, pjesëtar i Ushtrisë së Republikës Serbe, duhet t’i paguajë viktimës 15mijë e 340 euro brenda 90 ditësh.

Duke qenë se Saviq nuk kishte pasuri për ta paguar dëmshpërblimin, viktima e përdhunimit, Zonja A, u ankua në Komitetin e OKB-së kundër Torturës. Rasti në OKB u iniciua në vitin 2017 dhe vendimi përfundimtar u mor dy vjet më vonë.

Për këtë krim të kryer në vitin 1993 në komunën Vogoshça të Sarajevës, Saviq u dënua me tetë vjet burgim.

“Bosnjë e Hercegovina është e detyruar që, përveç dëmshpërblimit material, zyrtarisht t’i kërkojë falje viktimës së përdhunimit gjatë luftës, si shtet. Gjithashtu, detyrohet t’i ofrojë ndihmë shëndetësore dhe psikologjike me qëllim zbatimin e Konventës së OKB-së kundër Torturës”, thotë avokatja Shehiq.

Ministria e të Drejtave të Njeriut i tha Radios Evropa e Lirë se vendimi për dëmshpërblimin monetar mund të miratohet nga Këshilli i Ministrave që në mbledhjen e ardhshme. Mirëpo, Ministria në fjalë, e as Këshilli i Ministrave, nuk iu përgjigjën pyetjes se kur do të zbatohen masat tjera (ndihma psikologjike dhe shëndetësore) të përmendura në Vendimin e Komitetit të OKB-së në rastin e Zonjës A.

Sipas Amnesty International, më shumë se 20.000 viktima të mbijetuara të përdhunimeve gjatë luftës jetojnë në Bosnje e Hercegovinë. Vendi nuk ka një ligj specifik shtetëror për t’i mbështetur viktimat e luftës, përfshirë viktimat e dhunës seksuale.

Në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës, viktimat e përdhunimit të luftës mbulohen nga Ligji për bazat e mbrojtjes sociale, mbrojtjen e viktimave civile të luftës dhe mbrojtjen e familjeve me fëmijë.

Në entitetin tjetër të Bosnjës dhe Hercegovinës, Republika Sërpska, që nga viti 2018 është në fuqi Ligji për mbrojtjen e viktimave të torturës së luftës.

Në Distriktin Bërçko, si njësi e veçantë administrative në Bosnje dhe Hercegovinë, ekziston Vendimi për mbrojtjen e viktimave civile të luftës.

Vite luftë për drejtësi dhe dëmshpërblim

Viktima A ishte 32 vjeçe kur Slavko Saviq e përdhunoi.

Në vendimin e Komitetit të OKB-së thuhet se Zonja A ka mbetur shtatzënë pas përdhunimit dhe se është dashur ta ndërpresë shtatzëninë.

“Këto ngjarje e prekën rëndë, duke lënë pasoja të rënda psikologjike të qëndrueshme. Si pasojë e traumës, ajo filloi të ndiejë frikë, pagjumësi, mendime të detyruara, makthe dhe imazhe përdhunimi”, thuhet në pjesën e përshkrimit të traumës.

Aty shtohet se viktima ka pasur pasoja të përhershme, kështu që ka gjetur guximin vetëm në vitin 2014 për ta denoncuar krimin që kishte përjetuar në organet e drejtësisë.

Para gjykatave në Bosnje, viktima përfaqësohej nga Nexhlla Shehiq, dhe para Komitetit Ndërkombëtar Gjyqësor të OKB-së, një organizatë që merret me mbështetjen ligjore për viktimat e krimeve të luftës.

Avokatët theksojnë se ajo nuk dëshiron të flasë publikisht për përvojat dhe luftën e saj.