Një person dërgohet në spital, shtohen masat për shuarjen e zjarrit në deponinë e Sferkës

Një person është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa disa të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore në vendngjarje, si pasojë e situatës së krijuar nga zjarri në deponinë e mbeturinave në Sferkë, ku u zhvillua edhe protesta.
Lajmin e konfirmoi për Telegrafin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Sipas tij, për menaxhimin e situatës janë angazhuar Policia e Kosovës, ekipet emergjente dhe zjarrfikësit.
Prokurori i Shtetit ka kërkuar shtimin e masave dhe angazhimin e ekipeve shtesë të zjarrfikësve, me qëllim lokalizimin sa më të shpejtë të zjarrit.
"Në vendin e ngjarjes janë disa persona të cilët janë duke protestuar. Si pasojë e situatës së krijuar në vend të ngjarjes janë Polica e Kosovës dhe ekipet emergjente. Gjithashtu edhe zjarrëfikësit. Deri këto momente një person është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës, kurse në vendin e ngjarjes janë trajtuar nga ekipet mjekësore disa persona. Prokurori i shtetit ka kërkuar që të shtohen masat e ekipeve të zjarrëfikësve në vendin e ngjarjes për të lokalizuar zjarrin", ka thënë Nikçi.
Tutje ai ka thënë se javën e kaluar kur ka kapluar zjarri këtë deponi të mbeturinave, përveç Policisë së Kosovës, prokurori i shtetit ka autorizuar edhe eksperitin e zjarreve për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe për të deponuar në Prokurori raport lidhur më të gjeturat.
"Eventualisht nëse është nga faktori njeri, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për arrestuar personin apo personat përgjegjës", ka thënë ndër të tjera Nikçi.
Ndryshe, të hënën Kompania Rajonale e Mbeturinave (KRM) “Ambienti” njoftoi se është bllokuar procesi i shkarkimit të mbeturinave në deponinë sanitare të Sferkës, duke prekur shërbimet për rreth 220 mijë banorë në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.
Sipas njoftimit të kompanisë, disa banorë kanë protestuar të hënën dhe kanë bllokuar rrugën nëpër të cilën kalojnë automjetet e kompanisë drejt deponisë sanitare, duke pamundësuar shkarkimin e mbeturinave. /Telegrafi/





































