Fermerët e Pejës pajisen me mekanizëm të ri bujqësor, shpërndahen 18 rotokosa

Komuna e Pejës ka vazhduar me mbështetjen për fermerët përfitues përmes furnizimit me mekanizëm bujqësor, në kuadër të projektit të realizuar në bashkëpunim me organizatën “Islamic Relief” – Zyra në Kosovë.
Në oborrin e SHFMU “28 Nëntori” në fshatin Raushiq janë shpërndarë 18 rotokosa për fermerët përfitues, me qëllim të lehtësimit të punëve bujqësore dhe rritjes së kapaciteteve të prodhuesve lokalë.
Në ceremoninë e shpërndarjes morën pjesë nënkryetari i Komunës së Pejës, Fatmir Asllani, dhe drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi, Tahir Shala.
Sipas Komunës së Pejës, ky projekt paraqet një mbështetje të rëndësishme për sektorin bujqësor, duke kontribuar në modernizimin e mekanizimit, rritjen e efikasitetit të prodhimit dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë.
Komuna ka theksuar se do të vazhdojë përkrahjen për fermerët përmes projekteve që synojnë fuqizimin e bujqësisë dhe zhvillimin ekonomik lokal. /Telegrafi/





































