Ramosaj: Hoti dhe ish-udhëheqësit që sot kërkojnë ndryshime mbajnë përgjegjësi të madhe për rënien e LDK-së

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berim Ramosaj, ka deklaruar se një pjesë e figurave që sot po kërkojnë ndryshime në udhëheqjen e LDK-së kanë qenë vetë pjesë e strukturave drejtuese në periudhën kur partia pësoi rënien më të madhe.
Në një intervistë në “Përballje Podcast”, Ramosaj tha se grupi që po mbledh nënshkrime për ndryshime brenda partisë nuk mund të ndahet nga përgjegjësia për rezultatet e mëparshme.
“Veprimet politike të këtij grupi që po mbledh nënshkrime duhet të shihen edhe në raport me të kaluarën e tyre. Ata kanë qenë pjesë e lojës dhe pjesë e udhëheqjes”, ka thënë Ramosaj shkruan Telegrafi.
Sipas tij, disa nga këto figura nuk kanë qenë vetëm pjesëmarrëse në zhvillimet e asaj kohe, por akterë të rëndësishëm në rënien e LDK-së.
“Një pjesë e tyre janë ata që e kanë ulur Lidhjen Demokratike. Në rënien më të madhe të LDK-së, këta nuk kanë qenë vetëm pjesë, por edhe aktorë shumë të rëndësishëm”, është shprehur ai.
- YouTube www.youtube.com
Ramosaj ka përmendur konkretisht ish-kryeministrin Avdullah Hoti, duke thënë se ai ka qenë pjesë e udhëheqjes në atë periudhë dhe se mban përgjegjësi për gjendjen në të cilën kishte rënë partia.
“Po e përmend zotin Hoti, i cili ishte pjesë e asaj loje dhe në atë kohë ishte kryeministër i vendit. Ata mbajnë përgjegjësi të madhe për rënien e LDK-së”, ka deklaruar Ramosaj.
Ai ka shtuar se përgjegjësia politike nuk mund të zhduket vetëm për faktin se ka kaluar një periudhë kohore.
“Nuk mund të justifikohen aq lehtë vetëm pse ka kaluar një periudhë dhe tash të thonë: hajde ta luajmë një lojë tjetër. Jo”, ka theksuar Ramosaj.

Sipas tij, të drejtën më të madhe morale për të kërkuar rezultate më të mira e kanë ata që nuk kanë qenë pjesë e vendimmarrjes në periudhën e rënies së partisë.
“Ata që nuk kanë qenë pjesë e asaj loje kanë të drejtë morale, edhe në kuptimin e etikës politike, të kërkojnë rezultate më të mira. Por ata që deri dje kanë qenë akterë të fuqishëm në rënien e LDK-së nuk mund të kërkojnë justifikime të momentit”, ka përfunduar Ramosaj.
Deklaratat e tij vijnë në kohën kur brenda LDK-së po vazhdon debati për të ardhmen e lidershipit aktual dhe për iniciativat që synojnë ndryshime në drejtimin e partisë./Telegrafi/.




































