“Frankfurter Allgemeine Zeitung”: Aleksandar Vuçiqi mbështeti me muaj të tërë luftën e kriminelëve serbë kundër Bosnjës dhe u krenua me veprimet e tij


Si i ri dhe vullnetar lufte, presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qëndroi në Sarajevë në shërbim të një politike kriminale - me pasoja që ndihet deri sot, shkruan gazetari gjerman Michael Martens në gazetën prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Edhe varrezat vdesin. Kështu ka shkruar dikur fituesi jugosllav i Nobelit në letërsi, Ivo Andriq, në esenë e tij të botuar më 1954, “Në varrezat hebraike të Sarajevës”. Nga dikur 12’000 hebrenj të kryeqytetit të Bosnjës, atëbotë jetonin vetëm pak prej tyre. Shumica nuk e kishte mbijetuar pushtimin nga trupat gjermane dhe aleatët e tyre kroatë ndërmjet viteve 1941 dhe 1945; ishin vrarë në Aushvic, Bergen-Belsen ose në kampin e përqendrimit Jasenovac, të drejtuar nga kroatët.
Andriqi kishte pasur miq hebrenj, ai e njihte historinë e hebrenjve të Bosnjës: “Kur në fund të shekullit XV hebrenjtë u dëbuan nga Spanja, ata kërkuan strehë në vende të ndryshme, ku nuk kishte persekutim sistematik të hebrenjve dhe ku të paktën toleroheshin. Një nga këto vende ishte Turqia e atëhershme. Në shekullin XVI hebrenjtë spanjollë të dëbuar, sefardikët, shfaqen edhe në qendrat kryesore tregtare të Ballkanit, pra edhe në Sarajevë.”

Në Bosnjë, të “rrethuar nga paragjykimet dhe besëtytnitë e bashkëqytetarëve të tyre të konfesioneve të tjera”, ata flisnin në shtëpi spanjishten që kishin sjellë nga atdheu, nga e cila më pas u zhvillua ladinoja, “hebraishto-spanishtja”. “Ishte një bashkësi e vogël, e mbyllur hermetikisht nga forca e rrethanave dhe zakoneve, ku kishte pasuri të fituara me mund të madh, të ruajtura me ankth dhe vazhdimisht të rrezikuara, dhe edhe shumë më tepër varfëri të thellë”, shkruan Andriqi, i cili si fëmijë i lindur më 1892 nga një nënë vetëushqyese në Sarajevë, kishte njohur vetë varfëri të ashpër.
Por vetëm Lufta e Dytë Botërore e shkatërroi krejtësisht bashkësinë hebraike të qytetit, zhduku tërësisht familje ose i pakësoi aq shumë, sa prania e tyre shumëshekullore u bë më e prekshme në varrezat hebraike sesa mes të gjallëve. “Një botë që nuk ekziston më”, vëren Andriqi më 1954 dhe prej kësaj nxjerr një kërkesë: nëse njerëzimi do ta meritonte emrin “njerëzim”, duhej të organizohej “kundër të gjitha krimeve ndërkombëtare në mënyrë që të ngrihen diga të sigurta dhe të vijë një ndëshkim real për të gjithë vrasësit e njerëzve dhe të popujve”.

Kush ecën sot nëpër varrezat e shkatërruara hebraike të Sarajevës, përmes barit deri në gju dhe shkurreve, pranë gurëve të ngulitur të varrit që si dhëmbë të shtrembër të një nofulle dalin nga toka, sheh pamje të ngjashme me ato që pa Andriqi para shtatëdhjetë vjetësh. Në varrezat ku rreth vitit 1630 u bë varrimi i parë, që nga viti 1966 nuk është varrosur askush më. Hapësira po humbet në rrënoja. Bashkësia e mbetur hebreje e Sarajevës është shumë e vogël për ta mirëmbajtur. Qyteti gati nuk merret fare me të. Në pjesën e sipërme të varrezave, më të vjetrën, mbishkrimet në shumicën e gurëve janë tashmë të zhdukura; vetëm në disa mund të dallohen ende fjalë në shkronja hebraike dhe arabe nga koha osmane, si edhe disa mbishkrime në ladino.
Më poshtë, në pjesën më të re, ku u varrosën hebrenjtë e Sarajevës pasi pushtimi osman nga viti 1878 u zëvendësua për katër dekada me okupimin habsburgas, rrjedha e emrave bëhet më e gjerë. Krahas familjeve të vjetra sefardike të Sarajevës vijnë tani edhe familjet ashkenaze, të ardhura nga Galicia dhe provincat e tjera lindore të Perandorisë austro‑hungareze. Përkrah Albaharive, Baruheve, Fincive, Kalderonëve dhe Maestrove, në varrezat hebraike të Sarajevës filluan të prehen edhe Singerët, Mondshajnët, Glykseligët, Shternbergët dhe Rozenbergët, derisa sefardikët dhe ashkenazët bashkë u gllabëruan nga Holokausti.

Por në varrezat hebraike shihen edhe gjurmët e shkatërrimeve që ndodhën vetëm dekada pas Luftës së Dytë Botërore. Veçanërisht qartë e tregon këtë një monument i ngritur pas luftës për viktimat hebraike të terrorit të pushtimit gjermano‑kroat. Në një pllakë guri shkruhet se monumenti u kushtohet “luftëtarëve të rënë” dhe viktimave hebraike të fashizmit në Bosnje‑Hercegovinë, por fjalët “viktima” dhe “Bosnjë” janë shqyer nga një granatë.
Kjo ndodhi gjatë luftës serbe kundër Bosnje‑Hercegovinës 1992-1995, kur kryeqyteti i Bosnjës, i vendosur në një luginë, u mbajt i rrethuar për 1425 ditë. Trupat serbe të gjeneralit Ratko Mladiq - i dënuar më vonë me burgim të përjetshëm nga Tribunali i OKB‑së për krimet e Jugosllavisë së dikurshme në Hagë - e kishin rrethuar qytetin. Artileria e tyre dhe snajperistët qëllonin çdo ditë mbi Sarajevë; shpesh nuk kishte as rrymë, as ujë të rrjedhshëm. Mbi 11’000 njerëz u vranë.
Një prej skenave të rrethimit ishte pikërisht varreza hebraike e Sarajevës. Pjesët më të larta të kësaj sipërfaqeje në shpat mali kontrolloheshin nga sulmuesit serbë. Prej andej snajperistët merrnin në shënjestër qytetin. Gjenerali britanik Michael Rose, i cili për një kohë komandoi trupat e mbrojtjes së OKB‑së në Sarajevë, dëshmoi para Tribunalit të Hagës se varrezat hebraike kanë qenë gjithmonë një pikënisje e rrezikshme për bombardimin e qytetit. Nga pozicionet në varreza u qëllua edhe një spital qyteti në lagjen Marienhof poshtë në luginë. Një kirurg i punësuar aty dëshmoi në gjykatë se disa herë pacientët dhe personeli ishin plagosur nga snajperistët që qëllonin nga drejtimi i varrezave hebraike.
Një burrë që si i ri vullnetar lufte ka qenë të paktën për një kohë i pranishëm në këtë veprim kriminal në varrezat hebraike të Sarajevës, do të bëhej më vonë i famshëm dhe i fuqishëm - presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Nuk janë kundërshtarët apo shpifësit që e kanë nxjerrë në publik këtë detaj të shëmtuar të biografisë së tij; ai vetë ka treguar me krenari për këtë në intervista gjatë viteve ’90.

Intervistat u botuan në gazeta që sot janë mbyllur dhe kanë lënë pak gjurmë në internet. Disa prej mburrjeve të Vuçiqit për kohën e tij si vullnetar lufte nuk e kanë kaluar portën nga e kaluara e shtypur në të tashmen elektronike dhe kanë mbetur pak të njohura. Por kush kërkon në Bibliotekën Kombëtare të Serbisë në Beograd, në thellësitë e arkivave të letrës, gjen shumë gjurmë.
Në gusht 1994, për shembull, në revistën e ilustruar serbe “Duga” (Ylberi) u botua nën titullin “Aleksandri i majtë dhe i djathtë” një portret i dyfishtë i dy politikanëve të rinj serbë, të cilët sot janë ndër njerëzit më të fuqishëm të shtetit. “Aleksandri i djathtë” ishte Vuçiqi. “I majti” ishte Aleksandër Vulini, atëherë formalisht socialist, sot një nga njerëzit më të afërt të presidentit, ish‑shef i shërbimit sekret serb, i njohur për afërsinë e veçantë me Rusinë.
Më 1994, Vuçiqi tashmë konsiderohej politikan në ngritje në “Partinë Radikale Serbe” të çetnikut Vojisllav Sheshel, një parti që besohet se është krijuar ose të paktën e infiltruar pjesërisht nga shërbimi sekret serb. Për Sheshelin, politika e presidentit të atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviq - gjithashtu i akuzuar më vonë në Hagë - nuk ishte mjaft radikale. Ai kërkonte një kurs edhe më ekstrem për të krijuar me luftë një shtet serbomadh dhe për të dëbuar nga aty etnitë “e padëshiruara”: kroatët, myslimanët boshnjakë dhe shqiptarët e Kosovës. Shesheli u akuzua më vonë po ashtu nga Tribunali i OKB‑së - dhe, ndryshe nga Millosheviqi, i cili ndërroi jetë nga infarkti para përfundimit të gjyqit, u dënua.
Më 1994, e gjithë kjo ende dukej një e ardhme që pak kush mund ta imagjinonte. Tribunali i Hagës sapo ishte themeluar, kishte pak mjete dhe shihej si i dobët. Pothuajse askush nuk besonte se ai do të mund t’i nxirrte ndonjëherë para drejtësisë figurat kryesore të krimeve të luftërave jugosllave. Vuçiqi, 24‑vjeçar, kishte studiuar për drejtësi në Beograd dhe jetonte ende tek prindërit në një pallat, kur gazetari i “Duga” e vizitoi në lagjen socialiste Novi Beograd. Jetonte në kushte modeste. Vuçiqi ndante një dhomë me të vëllain, Andrein; gazetari vëren në mur “trofe lufte”, pa i përshkruar në hollësi. Se nga vinin këto trofe, Vuçiqi rrëfen vetë me dëshirë: “Kur filloi lufta në Bosnjë, shkova në Sarajevën serbe dhe u paraqita si vullnetar.” E kishte bërë, thotë ai, “për ta mbrojtur serbizmin”.
Se si u zhvillua në praktikë kjo “mbrojtje e serbizmit” në Sarajevë, e ka dokumentuar Tribunali i Hagës, ndër të tjera, në procesin kundër gjeneralit të ushtrisë serbe të Bosnjës Dragomir Millosheviq. Ky u dënua më 2007 me 33 vjet burg për krime kundër njerëzimit: terror kundër civilëve, angazhim snajperistësh, bombardim me artileri të tregjeve dhe grumbullimeve të njerëzve. Çdo ditë, për vite. Dëshmitarë të shumtë thanë para gjykatës se gjatë viteve të rrethimit në Sarajevë nuk kishte vend të sigurt. Njerëzit mund të vriteshin ose plagoseshin kudo e kurdo.
Vuçiqi i tha revistës “Duga” më 1994 se kishte qenë “disa kohë në varrezat hebraike” para se të shkonte në Pale. Pikërisht nga ky qytet i vogël nën kontrollin serb, Radovan Karaxhiqi - edhe ai i dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës - e drejtonte luftën kundër Bosnjës dhe “spastrimet etnike”: masakrat me të cilat myslimanët boshnjakë dhe kroatët vriteshin ose dëboheshin nga zonat që serbët i pretendonin. Nuk del qartë nga intervista çfarë ka bërë saktësisht Vuçiqi në varrezat hebraike të Sarajevës.
A ka qëlluar edhe ai mbi qytetin? A ka vrarë civilë? Cili ka qenë roli i tij? E sigurt është se për pretendimin që qarkullon prej disa muajsh, se Vuçiqi atëherë paska shërbyer si udhërrëfyes për pasanikë të huaj që si “snajperistë fundjave” paguheshin për të vrarë nga pozicionet serbe gra dhe fëmijë në Sarajevë, nuk ka asnjë provë të besueshme. Por për ta kuptuar se presidenti i sotëm i Serbisë si i ri dhe vullnetar lufte ishte vënë në shërbim të një politike skajshmërisht kriminale, nuk ka nevojë për këto rrëfenja ekstremesh.
Se e ka mbështetur plotësisht këtë politikë, Vuçiqi e ka shpallur edhe në raste të tjera, për shembull në një numër të veçantë të revistës “Serbia e Madhe” - organ i Partisë Serbe Radikale - të shtatorit 1997. Në atë kohë Vuçiqi ishte ngritur në postin e sekretarit të përgjithshëm të partisë. Në numrin e shtypur në 50’000 kopje, i riu kujton shpërthimin e luftës në Bosnjë më 1992: “Në atë kohë vërtet krize për popullin tonë, unë gjendesha në një dilemë që e mundonte shumëkënd, veçanërisht brezin e ri. Dilema u zgjidh përmes qëndrimit tim dyzetditor si vullnetar në Sarajevë.” Nuk është e qartë se për çfarë dileme flet. Në tërësi, thotë ai më 1997, ka kaluar tetë muaj në zonat nën kontroll serb në Bosnjë, prej tyre “dy në front”.

Tre vite pas intervistës së vitit 1994 kishin ndodhur shumë gjëra në Bosnjë. Pas pushtimit të “zonës së mbrojtur nga OKB‑ja”, Srebrenicës, më 11 korrik 1995, trupat e Mlladiqit kishin ekzekutuar mbi 7000 myslimanë boshnjakë - një gjenocid, siç konstatoi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2007. Kjo nuk luan rol në deklaratat e Vuçiqit. Në frymën e partisë së vet, ai i thotë gazetarit: “Nëse mendoni se jam angazhuar për kroatët apo myslimanët - nuk e kam bërë këtë, dhe nuk e kam aspak ndërmend të turpërohem për këtë.” Në vend të kësaj, Vuçiqi rithekson pretendimet serbe mbi pjesë të Bosnjës dhe Kroacisë.
Në të njëjtën kohë predikon durim. Ende ekziston “një polic i fuqishëm botëror”, thotë Vuçiqi, pa i përmendur hapur ShBA‑të. Por një ditë ekuilibri i forcave në botë duhet të ndryshojë. Vuçiqi sjell shembullin e Francës, e cila pas humbjes së Elsasit dhe Lorenës ndaj Prusisë më 1871 kishte pritur gati gjysmë shekulli për t’i marrë sërish këto krahina. “Edhe ne do të jemi të durueshëm, për ta marrë tokën tonë”, premton i riu radikal. Kur të ketë ndryshuar balanca e forcave, Serbia duhet “të tregojë dhëmbët” dhe t’i bashkangjisë Serbisë territoret nën kontroll serb në Bosnjë dhe Kroaci, përfshirë qytetin kroat të Danubit, Vukovarin: “Ne do ta mbrojmë Vukovarin së pari me mjete politike, dhe nëse është e nevojshme edhe me mjete ushtarake. Është toka jonë, sikurse edhe gjithë të tjerat.”
Këtë program Vuçiqi e kishte shpallur që në fund të vitit 1995, kur, për inatin e tij, nën ndërmjetësimin e presidentit amerikan Bill Clinton, u arrit më në fund që gjakderdhjes në Bosnjë t’i jepej fund me marrëveshjen e Dejtonit. Në numrin e dhjetorit të revistës “Serbia e Madhe” ai botoi një tekst me plot zemërim dhe me titullin “Dejtoni - një katastrofë serbe”. Aty e quante marrëveshjen “të ashtuquajtur marrëveshje paqeje”, që ishte “paqe vetëm për armiqtë tanë”.
Sot retorika e Vuçiqit ka ndryshuar. Ai e ka pranuar me retorikë marrëveshjen e Dejtonit dhe e respekton integritetin territorial të Bosnjës. Por në mediat e kontrolluara prej tij vazhdon të mbizotërojë një ton i hapur revanshist - pikërisht ashtu si kishte premtuar më 1997, kur me shikim nga Kroacia dhe Bosnja‑Hercegovina thoshte: kur partia e tij të vijë në pushtet në Serbi, “ne do të kujtojmë çdo ditë se ato territore janë toka jonë mijëvjeçare”.
Çfarë do të thonë këto fjalë sot? ShBA‑të, tri dekada më parë faktori vendimtar për ndaljen e luftërave në Ballkan, janë tërhequr ose madje i mbështesin nacionalistët e linjës së fortë në rajon. Evropianët nuk e mbushin zbrazësinë. Veterani serb i varrezave hebraike në Sarajevë i vëzhgon me kujdes këto zhvillime. Në sulmin e tij ndaj marrëveshjes së paqes në Bosnjë më 1995 ai kishte parashikuar: “Në fund, serbët do të ngrenë kokën dhe do t’i marrin tokat e tyre. Duhet vetëm edhe pak durim.” A është tani afër fundi i kësaj pritjeje?




































