eksperti ad

Julian Alvarez duket se është gjithnjë e më pranë largimit nga Atletico Madridi, teksa sulmuesi argjentinas beson se klubi do ta respektojë një marrëveshje të arritur më herët, nëse mbërrin një ofertë prej 100 milionë eurosh.

Sipas raportimeve të SPORT, reprezentuesi i Argjentinës është i bindur se drejtuesit e Atletico Madridit i kishin premtuar se do ta lejonin të largohej në rast se një klub do të ofronte 100 milionë euro.


Megjithatë, qëndrimi i klubit ka ndryshuar, pasi tashmë çdo skuadër e interesuar po referohet te klauzola e lirimit prej 500 milionë eurosh.

Vetë Alvarez së fundmi shtoi spekulimet rreth së ardhmes së tij, kur pas ndeshjes së Argjentinës në Kupën e Botës deklaroi publikisht se dëshiron të largohet.

Sipas mediave spanjolle, kjo lëvizje kishte për qëllim të mbante gjallë interesimin e Barcelonës dhe njëkohësisht të rriste presionin mbi Atletico Madridin që të respektojë marrëveshjen e pretenduar.

Barcelona vazhdon ta konsiderojë sulmuesin një nga objektivat kryesorë për repartin ofensiv, por kufizimet financiare të klubit katalanas mbeten pengesa kryesore për finalizimin e transferimit.

Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Atletico Madridit, Miguel Angel Gil Marin, thuhet se ka ashpërsuar qëndrimin e klubit.

Ai ka theksuar se largimi i Alvarezit mund të ndodhë vetëm nëse paguhet klauzola e lirimit prej 500 milionë eurosh, duke përmendur gjithashtu interesimin e pretenduar të Real Madridit dhe duke vënë në dyshim aftësinë financiare të Barcelonës për të realizuar një transferim të tillë.

Sipas raportimeve, Barcelona ka paraqitur një ofertë prej rreth 90 milionë eurosh, plus bonuse të lidhura me performancën, e strukturuar në disa këste.

Megjithatë, Atletico Madridi nuk e konsideron të mjaftueshme këtë propozim, ndërsa saga e transferimit të Alvarezit vazhdon./Telegrafi/

telegrafi sport app