Nuk e lanë të hynte në SHBA, UEFA i jep një tjetër mundësi: Gjyqtari Artan shkruan historinë

Omar Artan do ta mbajë gjatë në mendje muajin e fundit, pasi gjyqtari somalez u përball me një situatë të pazakontë pak para fillimit të Kupës së Botës 2026.
Artanit iu refuzua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi mbërriti në Miami për të marrë pjesë në turneun madhor.
Shkak u bë ndalimi i hyrjes në territorin amerikan për qytetarët e Somalisë, vendi i origjinës së gjyqtarit.
Megjithatë, vetëm pak javë më vonë, UEFA i dha atij një mundësi të jashtëzakonshme për t'u rikthyer në qendër të vëmendjes.

Artan është përzgjedhur si gjyqtari kryesor i Superkupës UEFA, ku do të përballen Paris Saint-Germain dhe Aston Villas.
Duke folur për faqen zyrtare të UEFA-s, 34-vjeçari rrëfeu emocionet dhe vështirësitë që përjetoi pas kthimit nga SHBA.
“Ishte një periudhë shumë e vështirë. Shumë njerëz më kuptojnë, sepse kur dikush punon për shumë vite për të arritur diçka dhe më pas nuk mund ta realizojë, është shumë e vështirë. Megjithatë, jam jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e madhe që mora nga njerëz nga e gjithë bota”.
Superkupa UEFA do të jetë një tjetër moment historik në karrierën e Artanit.
Ai do të bëhet gjyqtari i parë joevropian që drejton një ndeshje të tillë, duke shkruar një kapitull të ri në historinë e futbollit afrikan.
Artan është gjithashtu gjyqtari i parë somalez që ka drejtuar një finale të Ligës së Kampionëve të Afrikës.
Në vitin 2025, ai u shpall gjyqtari më i mirë afrikan, ndërsa më pas u përzgjodh edhe për Kupën e Botës 2026.
“Do të jetë ndeshja ime e parë në Evropë. Është fantastike të jetosh aventura të reja, të krijosh kujtime dhe të mësosh gjëra të reja. Për mua është diçka e jashtëzakonshme që CAF bashkëpunon me UEFA-n, një prej konfederatave më të avancuara në botë sa i përket arbitrimit”, tha Artan.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes dy konfederatave.
“Niveli në Evropë është i shkëlqyer dhe aty luhet futboll i një niveli shumë të lartë. Besoj se gjyqtarët e CAF mund të mësojnë shumë nga UEFA dhe anasjelltas. Është një përfitim i përbashkët. Ndihem i nderuar që jam caktuar për të drejtuar këtë ndeshje kaq të rëndësishme. Dua të falënderoj UEFA-n, presidentin e CAF-it dhe të gjithë anëtarët e saj”.

Vendimi i UEFA-s për ta emëruar Artanin si gjyqtar kryesor të Superkupës erdhi në qershor, vetëm pak ditë pasi ai ishte detyruar të largohej nga SHBA-ja dhe të kthehej në Somali.
Për të dhe familjen e tij, telefonata nga UEFA ishte një moment i veçantë.
“Kur morëm telefonatën, për mua dhe familjen time ishte një moment shumë i lumtur. Në Evropë, veçanërisht në Austri, ka një komunitet të madh somalezësh dhe ata janë shumë entuziastë që unë do të drejtoj një ndeshje të tillë”.
Artan e sheh këtë mundësi si rezultat të punës së tij të palodhur, pavarësisht vështirësive që ka kaluar gjatë jetës.
“Pata fat, por kam punuar shumë për të arritur deri këtu dhe jam shumë krenar. Siç mund ta imagjinoni, jam rritur në një situatë shumë të vështirë, por kjo nuk më pengoi kurrë të ndiqja ëndrrat e mia”, përfundoi Artan. /Telegrafi/















































