Zayn Malik ka reaguar publikisht pas një videoje virale ku ai shihej duke u përplasur verbalisht me disa persona jashtë një hoteli, ndërsa po përpiqej të hipte në makinën e tij.

Në pamjet që qarkulluan në rrjet, ish-anëtari i “One Direction” dëgjohej duke thënë “largohuni nga rruga ime”, teksa ai dhe një pjesëtar i sigurimit përpiqeshin të hapnin derën e makinës mes turmës së mbledhur përreth.


Fillimisht u raportua se këngëtari ishte sjellë keq me fansat, por vetë Zayn ka mohuar këto pretendime.

Zayn Malik

Ai reagoi në komentet e videos së publikuar nga mediat ndërkombëtare, duke sqaruar se personat me të cilët pati përplasje nuk ishin fansa të vërtetë.

Sipas tij, bëhej fjalë për disa burra që e kishin bllokuar atë dhe ekipin e sigurisë për rreth 10 minuta pranë hyrjes së hotelit dhe makinës.

“Fansat e mi janë gjithmonë të respektueshëm dhe fantastikë. Problemi ishte me disa burra të rritur që po na pengonin të largoheshim”, u shpreh artisti.

Më tej, Zayn i cilësoi ata si përndjekës duke thënë se këta persona ndjekin vazhdimisht figura publike vetëm për të filmuar dhe krijuar përmbajtje në rrjete sociale.

Reagimi i Zayn

Pas reagimit të tij, shumë ndjekës dolën në mbështetje të këngëtarit, duke theksuar se situata dukej e pakëndshme dhe se ai kishte të drejtë të vendoste kufij për privatësinë dhe sigurinë e tij.

Ky incident vjen vetëm pak kohë pasi artisti anuloi disa koncerte për shkak të problemeve shëndetësore dhe një shtrimi misterioz në spital.

Ndërkohë, ai është rikthyer sërish në skenë dhe së fundmi performoi dy net radhazi në arenën O2 në Londër. /Telegrafi/