Manchester City ka vendosur synimin për të nënshkruar me mesfushorin 29-vjeçar nga Barcelona, Frenkie de Jong. Holandezi është një lojtar, profili i të cilit gjithmonë i ka pëlqyer Cityt dhe nënshkrimi i një mesfushori tjetër është bërë përparësia e anglezëve para se të mbyllet afati kalimtar i transferimeve.

Komisioni sportiv i Cityt po përshpejton aktivitetin e transferimeve pasi shiti Rodrin te Barcelona për rreth 70 milionë euro dhe Tijjani Reijnders në Arabia Saudite për 61 milionë euro. Kjo vjen pas largimit të Bernardo Silvës si lojtar i lirë te Real Madridi dhe negociatave të avancuara me Neëcastle për Nico Gonzalez.


Për të rindërtuar mesfushën e tyre, klubi anglez ka në listën e ngushtë Ayyoub Bouaddi (Lille), Manu Kone (AS Roma) dhe Enzo Fernandez (Chelsea).

Megjithatë, Enzo Maresca ka kërkuar të sjellë reprezentuesin holandez, De Jong, në këtë fazë të fundit të afatit kalimtar të verës për të mbuluar humbjet e pësuara në mesfushë, duke përfituar nga pozicioni i bordit të Barcelonës, i cili parashikon largimin e tij përmes një huazimi me mundësi blerjeje, duke marrë përsipër një pjesë të pagës së tij.

De Jong, kontrata e të cilit me Barcelonën është deri në qershor të vitit 2029 , përfaqëson një mundësi transferimi për Cityn. Interesi i klubit anglez daton që nga koha e Pep Guardiolës në krye të ekipit dhe tani është ringjallur nën drejtimin e Marescas për të forcuar mesfushën e tyre.

Situata për futbollistin 29-vjeçar te Barcelona është bërë e ndërlikuar pas mbërritjes së Rodrit dhe dëmtimit të gjurit të tij. Klubi ka sugjeruar ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa lojtari po zgjedh një trajtim konservativ pa ndërhyrje kirurgjikale, gjë që do ta mbajë jashtë fushës për disa muaj.

Bordi i Barcelonës do të ishte i gatshëm ta strukturonte marrëveshjen duke përdorur të njëjtën formulë si me Ronald Araujon, duke rënë dakord për një huazim me mundësi blerjeje dhe duke marrë përsipër një përqindje të pagës së tij. Ky fleksibilitet synon të çlirojë disa nga shpenzimet më të mëdha të pagave të skuadrës, duke tërhequr gjithashtu vëmendjen e Juventusit.

Drejtuesit e Cityt do të zhvillojnë një video-konferencë me Decon dhe bordin e Barcelonës brenda 48 orëve të ardhshme. Në këtë takim, klubi anglez do të vlerësojë nëse do të ushtrojë opsionin e blerjes së detyrueshme të përfshirë në marrëveshjen e huazimit të De Jongut për të finalizuar transferimin e tij para se të mbyllet afati kalimtar i transferimeve. /Telegrafi/

telegrafi sport app