Në Policinë e Kosovës, është dorëzuar sot edhe personi i dytë i dyshuar për vrasjen e të miturit që ndodhi mbrëmë në Gradicë të Drenasit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.


“Po është dorëzuar edhe i dyshuari i dytë A. B, (mashkull) 19 vjeç, i cili ishte në kërkim për rastin e vrasjes së ndodhur mbrëmë në fshatin Gradicë të Drenasit. Ndaj tij në koordinim me prokurorinë po kryhen të gjitha veprimet e nevojshme policore”, ka bërë të ditur Ahmeti.

Përpos A.B, sot në orët e mëngjesit në polici është dorëzuar edhe Xh.B i dyshuari tjetër për këtë rast.

“Sot rreth orës 08:30, është dorëzuar në polici i dyshuari për vrasjen që ndodhi mbrëmë në fshatin Gradicë. Xh. B. (mashkull) 54 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, të cilit poashtu i është sekuestruar një armë zjarri që dyshohet të jetë përdorur në rastin. Ndaj tij kanë filluar procedurat e nevojshme policore”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkaq Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur se rast është cilësuar “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndryshe personi tjetër që ka mbetur i plagosur është duke u trajtuar në QKUK. /Telegrafi/