Kosova kërkon nga Serbia zbatimin e vendimit për kapacitetet energjetike ndërkufitare


Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar zbatimin e vendimit të Komunitetit të Energjisë që obligon Serbinë të hapë kapacitetet ndërkufitare për tregtinë e energjisë me Kosovën, duke theksuar se Beogradi nuk ka ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.
Në takimin joformal të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, që këtë vit udhëhiqet nga Kosova, Rizvanolli tha se vendimi parasheh afatin 1 korrik 2026 për hapjen e këtyre kapaciteteve, por sipas saj Serbia nuk ka bërë asnjë përgatitje për ta zbatuar atë.

Ajo kritikoi operatorin e transmisionit të Serbisë për refuzimin e bisedimeve të drejtpërdrejta me KOSTT-in, duke thënë se mungesa e bashkëpunimit pengon shfrytëzimin komercial të interkoneksionit dhe krijon ngarkesa në rrjetin rajonal të energjisë.
“Serbia jo vetëm që nuk e ka mbërritur këtë afat, por nuk ka ndërmarrë asnjë hap përgatitor për të zbatuar obligimin e vet. Operatori i transmisionit të Serbisë vazhdon të refuzojë bisedimet e drejtpërdrejta me operatorin tonë KOSTT, ndërsa komunikimi është i domosdoshëm për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal. Duke e penguar shfrytëzimin komercial të interkoneksionit me Kosovën, Serbia po i mbingarkon kapacitetet e transmetimit në Kosovë dhe në vendet fqinje dhe po u vendos një barrë të panevojshme të gjithë konsumatorëve të rajonit, veçanërisht atyre të Kosovës”, tha Rizvanolli, duke shtuar se Kosova “nuk do të qëndrojë duarkryq”.
Ajo theksoi edhe prioritetet e Kosovës në kuadër të Komunitetit të Energjisë, përfshirë integrimin e tregut të energjisë elektrike, harmonizimin e politikave klimatike dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal për shfrytëzimin e kapaciteteve ekzistuese gjeneruese dhe transmetuese.

Në takim, përfaqësuesja e BE-së, Yolanda Garcia Mezquita, theksoi se siguria energjetike evropiane kërkon një treg të integruar dhe të ndërlidhur.
“Mesazhi ynë sot është i qartë: siguria energjetike e Evropës nuk ndalet në kufijtë e Bashkimit Evropian. Ajo varet nga një hapësirë më e gjerë energjetike evropiane, e cila është e integruar, e ndërlidhur mirë dhe e bazuar në rregulla të përbashkëta”, tha ajo.


Ndërsa drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, tha se Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa interkoneksione të drejtpërdrejta me shtetet anëtare të BE-së. /Telegrafi/









































