Pas raportimit të Telegrafit për gjendjen e rënduar të rrugës “Stokholmi” në Prishtinë, Komuna ka paralajmëruar ndërhyrje të përkohshme për përmirësimin e qarkullimit dhe sigurisë në këtë rrugë.

Rruga “Stokholmi”, e cila lidhet me Rrugën C, rrethin e vogël dhe rrugën “Ndue Përleshi”, është bërë objekt i ankesave të banorëve për shkak të gropave dhe dëmtimeve të shumta.


Banorët kanë thënë se gjendja rëndohet veçanërisht gjatë reshjeve të shiut, kur gropat mbushen me ujë dhe vështirësojnë qarkullimin, ndërsa sipas tyre dëmtimet kanë shkaktuar probleme edhe në automjetet e tyre.

Lidhur me shqetësimin e banorëve, drejtoresha për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës, Zyhrije Pllana, ka thënë për Telegrafin se institucionet komunale janë të informuara për gjendjen e kësaj rruge.

“Jemi të informuar edhe për gjendjen e rrugës ‘Stokholmi’. Drejtoria e Investimeve Kapitale do të angazhojë një ekip për të inspektuar nga afër gjendjen në terren dhe për të ndërmarrë një trajtim të përkohshëm, me qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe sigurisë në këtë rrugë”, ka deklaruar Pllana.

Ajo ka bërë të ditur se ndërhyrja e plotë në këtë rrugë do të shqyrtohet në kuadër të planifikimeve komunale për vitin e ardhshëm.

“Ndërkaq, trajtimi i saj i plotë, së bashku me infrastrukturën përcjellëse, do të shqyrtohet në kuadër të planifikimeve për vitin e ardhshëm”, ka thënë Pllana.

Ndërhyrja e përkohshme pritet të synojë përmirësimin e kushteve të qarkullimit dhe sigurisë, ndërsa trajtimi i plotë i rrugës do të varet nga planifikimet dhe projektet e Komunës së Prishtinës për vitin e ardhshëm. /Telegrafi/