Pas raportimit të Telegrafit më 28 korrik për gjendjen e rënduar të rrugës “Hysen Tërpeza” në Prishtinë, Komuna ka bërë të ditur se trajtimi i plotë i saj do të shqyrtohet në kuadër të planifikimeve për vitin e ardhshëm.

Banorët e kësaj rruge kishin ngritur shqetësime për gjendjen e dëmtuar të rrugës, problemet me kanalizimin, mungesën e mirëmbajtjes, mbeturinat dhe praninë e qenve endacakë.


Ata kishin thënë për Telegrafin se rruga, e shtruar me kalldrëm prej vitesh, është dëmtuar në disa pjesë, ku janë krijuar gropa të mëdha dhe probleme me pusetat. Sipas tyre, gjendja vështirësohet edhe më shumë nga problemet me kanalizimin dhe mungesa e mirëmbajtjes së hapësirës publike.

Lidhur me këto shqetësime, drejtoresha për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës, Zyhrije Pllana, ka thënë për Telegrafin se institucioni është në dijeni për gjendjen e rrugës.

“Jemi të informuar për gjendjen e rrugës ‘Hysen Tërpeza’. Në këtë rrugë kemi intervenuar herë pas here përmes sanimit të gropave dhe ndërhyrjeve në rrjetin e kanalizimit”, ka deklaruar Pllana.

Ajo ka bërë të ditur se një ndërhyrje e plotë në këtë rrugë, së bashku me infrastrukturën përcjellëse, pritet të shqyrtohet në kuadër të planifikimeve për vitin e ardhshëm.

“Trajtimi i plotë dhe adekuat i saj, përfshirë të gjithë infrastrukturën përcjellëse, do të shqyrtohet në kuadër të planifikimeve për vitin e ardhshëm”, ka thënë Pllana.

Në raportimin e 28 korrikut, banorët kishin kërkuar ndërhyrje më të shpejtë nga Komuna e Prishtinës, duke ngritur shqetësime edhe për kanalizimin, mbeturinat dhe qentë endacakë.

Sipas tyre, problemet e vazhdueshme kanë ndikuar në sigurinë dhe jetën e përditshme të banorëve të kësaj zone. /Telegrafi/