Banorët e lagjes Kolovica e Re në Prishtinë po kërkojnë intervenim nga Komuna e Prishtinës për rregullimin e rrugës “Hasan Remniku”, e cila, sipas tyre, është në gjendje të rënduar.

Një banor i kësaj lagjeje, ka dërguar shqetësimin e tij në adresë të Telegrafit, duke thënë se rruga që lidhet me rrugën M9 është dëmtuar dhe se kohëve të fundit është ngarkuar ndjeshëm nga qarkullimi i automjeteve.


Sipas banorit, kjo rrugë përdoret nga një numër i madh i automjeteve, pasi shërben si lidhje drejt pikës kufitare në Merdar.

“Rruga është në gjendje të tmerrshme dhe është ngarkuar shumë nga makinat që kalojnë këndej”, ka thënë ai.

Banorët shpresojnë që Komuna e Prishtinës t’i shqyrtojë kërkesat e tyre dhe të ndërmarrë masa për përmirësimin e gjendjes së rrugës. /Telegrafi/