Përfaqësuesi i organizatës “Albanians for America”, Gino Mulliqi, ka deklaruar se Kosova duhet të fokusohet më shumë në zhvillimin ekonomik dhe në tërheqjen e investimeve strategjike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përmendur edhe mundësinë e përdorimit të gazit amerikan.

Në një intervistë në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Mulliqi tha se Kosova duhet të përqendrohet te interesat e saj dhe te mënyrat se si mund ta avancojë bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në, ndërsa Washingtoni zhvillon politikën e vet ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.


“Ne duhet t’i lëmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta bëjnë politikëbërjen e tyre me Serbinë, ndërsa ne duhet të fokusohemi se si mund ta avancojmë Kosovën përpara. Zhvillimi ekonomik mendoj se është i domosdoshëm”, deklaroi Mulliqi, shkruan Telegrafi.


Një nga mundësitë që ai përmendi është gazi amerikan, për të cilin kërkoi që të bëhet një studim i mirëfilltë i fizibilitetit.

Sipas Mulliqit, Kosova fillimisht duhet të analizojë se në çfarë forme mund të përdoret gazi amerikan dhe çfarë përfitimesh ekonomike mund të sjellë ai.

“Për gazin amerikan mendoj se duhet të bëjmë një fizibilitet: si duhet të përdoret, në çfarë mënyre strategjike dhe ekonomike mund të na ndihmojë Amerika që gazi amerikan të përdoret në Kosovë”, tha ai.

- YouTube www.youtube.com

Mulliqi shtoi se një studim i tillë do të ishte mirë të realizohej nga një kompani amerikane, në mënyrë që të përcaktoheshin mundësitë konkrete për përdorimin e gazit dhe investimet që mund të lidhen me të.

“Ne nuk kemi një kërkesë të përcaktuar se në çfarë mënyre duhet të përdoret gazi amerikan. Për këtë arsye mendoj se duhet një studim fizibiliteti nga një kompani amerikane, për të parë se si mund të përdoret gazi amerikan në Kosovë dhe çfarë mund të vijë në Kosovë”, u shpreh Mulliqi.

Ai përmendi si shembull mundësinë e një projekti të madh energjetik, me kapacitet rreth 600 megavat, i cili, sipas vlerësimit të tij, mund të kërkonte një investim prej rreth një miliard dollarësh.


Sipas Mulliqit, investime të kësaj përmase nuk do të ndikonin vetëm në mbulimin e kostove të furnizimit me gaz, por do të kishin efekt më të gjerë në zhvillimin ekonomik.

“Një investim rreth një miliard dollarë mund të ndihmojë jo vetëm në shpenzimet që do të na kushtonte sjellja e gazit amerikan, por edhe në zhvillimin ekonomik dhe, pse jo, edhe në aspektin e sigurisë së Kosovës”, deklaroi ai.

Mulliqi ka theksuar gjatë intervistës se Kosova duhet ta zgjerojë partneritetin me Shtetet e Bashkuara përtej bashkëpunimit politik dhe ushtarak, duke krijuar interesa të përbashkëta afatgjata edhe në ekonomi dhe energji./Telegrafi/.