LAJMI I FUNDIT:

Visar Ymeri paralajmëron edhe protesta, nëse nuk hapet Ura e Ibrit

Visar Ymeri paralajmëron edhe protesta, nëse nuk hapet Ura e Ibrit

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur në takim kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, sekretarin organizativ Dardan Molliqaj dhe drejtuesit e qendrës së VV-së në Mitrovicë.

Siç u bë e ditur, temë e takimit ka qenë hapja e Urës mbi lumin Ibër dhe çështja e kufijve administrativ, e cila me marrëveshjen e Brukselit duhet të hapet deri në fund të qershorit.


Por nëse nuk hapet, Ymeri paralajmëroi edhe organizim të protestave.

“Me udhëheqësit e VV-së biseduam për çështje shumë të rëndësishme, siç është hapja e Urës së Ibrit dhe kufijve administrativ. Po ashtu kemi folur edhe për shumë çështje të tjera të cilat janë në dobi të qytetarëve të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës”, tha kryetari Bahtiri, raporton Veriu.info.

Ndërkaq, kryetari VV-së, Visar Ymeri, tha se falënderon kryetarin Bahtiri për punën që e ka bërë deri më tash, veçanërisht për vendosmërinë e tij për mbrojtjen e kufijve të Mitrovicës, gjë që sipas tij, nuk ka qenë as e lehtë dhe as e thjeshtë.

“Kryetarit Bahtiri iu është dashur të luftoj me dy instancat, njërën anë me strukturat e Serbisë, ndërsa në anën tjetër me neglizhencën nga institucionet qendrore të Kosovës, të cilat në shumë raste i janë bërë pengesë në këtë drejtim. Ne biseduam për dy çështje shumë të rëndësishme për qytetin e Mitrovicës, kufijtë administrativ dhe Urën e Ibrit. Ne si Lëvizje Vetëvendosje vazhdimisht kemi qenë në mbrojtje të interesit të qytetarëve të Kosovës, dhe kryetarit Bahtiri edhe njëherë ia konfirmuam mbështetjen tonë, por edhe diskutuam për angazhimin dhe mundësitë që Vetëvendosje me deputetët e vet në Kuvendin e Kosovës ta ndihmoj procesin e hapjes së Urës, duke përfshirë edhe thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, por edhe deri të reagimi qytetar, siç është protesta”, tha Ymeri, insistuar se është e papranueshme se si kjo urë mbahet e mbyllur.

I pyetur nëse protesta mbetet mjeti i fundit, a do të organizohet në Mitrovicë apo në Prishtinë, Ymeri tha: “Kemi diskutuar për mundësinë e organizimit të një proteste, por kjo nuk është ende definitive, por nëse mbahet ajo sigurisht se do të mbahej në Mitrovicë, në të cilën do të duhej të merrnin pjesë qytetarët e gjithë Kosovës, sepse Ura e Ibrit nuk është çështje vetëm e Mitrovicës, por edhe gjithë Kosovës”. /Veriu.info/