Marrëveshja LVV-LDK në pikëpyetje, kriza brenda LDK-së ndryshon rrjedhën e bisedimeve


Brenda pak minutash, dy informacione diametralisht të kundërta dolën në publik.
Përderisa një portal raportoi me burime për arritjen e një pajtimi mes Lëvizjes Vetëvendosje e LDK-së për bashkëqeverisje, kryetari i LDK-së minuta më vonë pati një tjetër njoftim.
Ai tha se ka vendosur t’i ndërpresë të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Kosovës, pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të partisë.
“Në këto rrethana, për shkak të kësaj nisme, nuk do të ishte serioze e as e përgjegjshme të negocioja në emër të LDK-së, pasi mandati im për të udhëhequr me të është vënë në diskutim brenda shtëpisë sime”, ka thënë kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Por të hapur për marrëveshje mbesin edhe më tutje në Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ne përpiqemi maksimalisht. Jemi aktiv e konstruktiv për takime dhe bashkëbisedime, të hapur e të sinqertë për marrëveshje. Shpresojmë që opozita nuk do të barrikadohet kundër dhe të na çojë në zgjedhje përsëri.”
Analisti Afrim Kasolli thotë se me zhvillimet në LDK shfajësohet Lëvizja Vetëvendosje në vonesat për krijimin e institucioneve.
“Prandaj çkado që ndodh në këtë drejtim sipas tij barra dhe përgjegjësia se pse vendi yni potencialisht mund të shkojë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme mbetet e atyre që e kanë ndërmarr këtë iniciative politike dhe kogja në masë të madhe nëse analizohet në mes rreshtash ai fjalim ishte një lloj shfajësimi për z.Kurtin nëse do kemi zgjedhje të reja të jashtëzakonshme sepse kjo marrëveshje po pengohet nga komplotet e brendshme”, ka thënë Kasolli.
Me certifikimin e rezultateve ka nisur edhe rrjedhja e afatit 30 ditor për konstituimin e Kuvendit e krijimin e qeverisë.
Kryetari i LVV-së e ai i LDK-së u takuan ditë më parë, per të gjetur gjuhë të përbashkët për marrëveshje për krijimin e institucioneve, përfshirë edhe çështjen e presidentit./Tv Dukagjini
- YouTube youtu.be






































