Virginia konfirmon ndarjen nga Vinicius në rrjete sociale, tregon edhe arsyet

Vinicius Jr është ndarë nga e dashura e tij, ylli televiziv dhe influencuesja Virginia Fonseca, vetëm shtatë muaj pasi e bënë publike lidhjen në tetor me foto romantike nga një udhëtim në Monaco.
Virginia e konfirmoi ndarjen me një postim në Instagram, ku publikoi një foto me futbollistin dhe shoqëroi imazhin me një deklaratë të gjatë.
Ajo shkroi se i ka lejuar vetes të jetojë 'diçka reale' pa frikë e pa kalkulime, se është përkushtuar shumë gjatë lidhjes, por ka mësuar të mos 'negociojë' gjërat që për të janë të panegociueshme.

Sipas saj, kur diçka nuk ka më kuptim, është më mirë ta mbyllësh me pjekuri dhe me respekt, se sa të vazhdosh pa arsye.
Ajo theksoi se të dy kanë zgjedhur ta respektojnë njëri-tjetrin, i uroi Viniciusit lumturi e sukses dhe kërkoi nga publiku ta respektojë vendimin e tyre.

27 vjeçarja është influencuese dhe sipërmarrëse me mbi 55 milionë ndjekës në Instagram; u bë e njohur në YouTube në vitin 2016 me përmbajtje mbi bukurinë, stilin e jetesës dhe familjen, ndërsa më pas u zgjerua edhe në televizion e biznes.
Ndërkohë, Vinicius Jr po kalon një sezon më të dobët me Real Madrid në 2025/26, teksa klubi humbi titullin e La Ligës ndaj Barcelonës.

Pavarësisht spekulimeve për të ardhmen, braziliani ka deklaruar se dëshiron të qëndrojë gjatë te Reali.
Kontrata e tij skadon verën e ardhshme, por raportohet se pritet t’i ofrohet rinovim. /Telegrafi/
























































