Vedat Muriqi i pafat, lëndohet në stërvitje


Transferimi më i fundit i Fenerbahces Vedat Muriqi ka pësuar një lëndim që duket serioz në stërvitje.
Sipas raportimeve nga Turqia, Muriqi u detyrua të largohej nga fusha me barelë pasi pësoi një shqetësim fizik gjatë stërvitjes, duke ngritur menjëherë shqetësime te stafi teknik i klubit verdheblu.
Gjendja e sulmuesit pritet të qartësohet pas ekzaminimeve të detajuara mjekësore, ndërsa shkalla e lëndimit do të përcaktohet pas kryerjes së rezonancës magnetike.

Ekipi mjekësor i Fenerbahces më pas do të vendosë për trajtimin që do të ndjekë lojtari, si dhe për afatin e rikthimit të tij në fushë.
Vedat Muriqi nuk ishte futbollisti i vetëm që pësoi lëndim te skuadra turke. Edhe Anderson Talisca pësoi një dëmtim gjatë stërvitjes së së dielës dhe aktualisht po merr trajtim nga stafi mjekësor.
Seria e lëndimeve para nisjes së sezonit të ri konsiderohet si një zhvillim që mund të ndikojë ndjeshëm në planet dhe programin përgatitor të stafit teknik të Fenerbahces./Telegrafi/






































