Dinamo ka pësuar humbje me rezultat 1-0 në transfertë ndaj Audës në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit në Tiranë.

Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja zhvilloi një pjesë të parë të vështirë, ku vendasit ishin më kërkues dhe krijuan rastet më të mira, por portieri Teqja mbajti në lojë ekipin shqiptar me disa ndërhyrje vendimtare.


Në pjesën e dytë, Dinamo reagoi dhe u shfaq më e rrezikshme. Qardaku dhe Malomo kërcënuan portën e Audës, ndërsa Berisha humbi një mundësi të mirë, megjithëse aksioni u anulua për pozicion jashtë loje.

Momenti vendimtar i takimit erdhi në minutën e 68-të, kur Barthelemy Diedhiou realizoi një gol spektakolar për t’i dhënë epërsinë skuadrës letoneze.

Vetëm tre minuta më vonë, situata u vështirësua edhe më shumë për Dinamon. Përndreca u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la ekipin shqiptar me një lojtar më pak.

Megjithatë, edhe me 10 futbollistë, Dinamo nuk u dorëzua. Në minutat e fundit të takimit, skuadra shqiptare ishte shumë pranë barazimit.

Fillimisht Metaj shpërdoroi një rast ideal, ndërsa në vazhdim edhe Dita nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë me kokë, duke bërë që ndeshja të mbyllej me fitoren minimale të Audës.


Përballja e kthimit, e cila do të zhvillohet më 13 gusht, do të vendosë se cila skuadër do të sigurojë kualifikimin në fazën "play-off" të Ligës së Konferencës. Dinamo do të synojë të përmbysë disavantazhin minimal para tifozëve të saj. /Telegrafi/

telegrafi sport app