eksperti-banner

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, nuk e fshehu zhgënjimin pas barazimit 1-1 ndaj Katarit në ndeshjen e parë të Kupës së Botës, duke dërguar mesazhe të forta për bashkëlojtarët e tij.

Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane theksoi se skuadra e tij kishte mundësinë ta fitonte ndeshjen, por nuk arriti të shfrytëzonte rastet e krijuara.


“Nëse nuk i shfrytëzon rastet e tua në sulm, do t’i pësosh në mbrojtje”, deklaroi Xhaka pas takimit.

Sipas kapitenit, Zvicra duhej të kishte menaxhuar më mirë avantazhin dhe të kishte treguar më shumë zgjuarsi në një ndeshje ku Katari pritej të kërkonte me ngulm golin e barazimit.

Xhaka kritikoi gjithashtu mungesën e disiplinës dhe qasjen individualiste në disa momente të lojës, duke lënë të kuptohet se disa lojtarë po përpiqeshin të zgjidhnin gjithçka vetë.

“Nuk kemi nevojë të jemi njerëz të spektaklit. Duhet të luajmë si ekip dhe të marrim përgjegjësitë tona”, ishte mesazhi i tij.

Megjithatë, ai nuk harroi të vlerësonte edhe paraqitjen e portierit të Katarit, i cili me disa pritje vendimtare mbajti ekipin e tij në lojë.

Në fund, Xhaka bëri thirrje për vetëdijesim dhe reagim të menjëhershëm nga skuadra, duke theksuar se Zvicra është ende larg objektivave që i ka vendosur vetes në këtë Botëror.

“Duhet t’i mbajmë të dyja këmbët në tokë. Mund të flasësh shumë, por tani është koha të veprojmë”, përfundoi kapiteni zviceran.

Barazimi ndaj Katarit ka lënë një shije të hidhur në kampin helvetik, ndërsa presioni për rezultat pozitiv në ndeshjet e ardhshme të grupit tashmë është rritur ndjeshëm. /Telegrafi/

telegrafi sport app