LAJMI I FUNDIT:

Si të menaxhosh stresin në kohë krize

Si të menaxhosh stresin në kohë krize

Çmimet e ushqimeve, veshjeve, kredi të vështira për t'u shlyer, qira shtëpie, çmimi i naftës, etj, etj. Të gjitha këto ne i dëgjojmë përditë, dhe në mënyrë direkte ose jo, ndjehemi më të prekur prej krizës financiare, dhe në të njëjtën kohë ndjejmë më shumë stres dhe ankth për gjendjen tonë ekonomike.

Ermira Danaj
Sociologe

Paratë janë shpesh në mendjen e shumicës prej nesh. Madje jo vetëm në mendjet tona po edhe në shumë vende të botës ndodh pak a shumë kështu. Për shembull, paratë dhe puna janë dy burimet kryesore të stresit për pothuajse 75% të amerikanëve (sipas një anketimi të Shoqatës Amerikane të Psikologjisë). Dhe nëse edhe ne do të bënim një anketim, që fatkeqësisht nuk ekziston akoma, mbi stresin e shqiptarëve, jam e sigurt se paratë dhe puna do të rezultonin si dy burimet kryesore të stresit.


Por në fakt, edhe ky stres, madje mund të themi ky ekstrastres mund të menaxhohet. Duke iu referuar përsëri Shoqatës Amerikane të Psikologjisë, rekomandimet që vijnë prej psikologëve në ShBA kanë të bëjnë në radhë të parë me panikun, pra nuk duhet të panikohemi edhe pse duket sikur rrethohemi në çdo pjesë të jetës sonë nga kriza ekonomike.

Mesa duket ekzistojnë strategji për menaxhimin e stresit gjatë situatave të vështira ekonomike. Dhe janë pikërisht psikologët e Shoqatës Amerikane të Psikologjisë që ndihmojnë me disa këshilla mbi kapërcimin e stresit që ka lidhje me paratë dhe punën.

depositphotos

Këshilla për menaxhimin e stresit ekonomik

1. Bëni pak pushim, dhe mos bëni panik. Ka shumë histori negative në gazeta dhe në televizion mbi gjendjen e ekonomisë. Bëni kujdes se çfarë ndodh përreth jush, por nga ana tjetër mos e lini veten të rrëmbeheni nga ritmi shpesh herë panikues i lajmeve nëpër gazeta apo televizion. Sepse është pikërisht kjo atmosferë paniku që mund t’ju çojë në stres të tepërt dhe në vendimmarrje të keqe. Evitoni sa më shumë tendencën për të reaguar në mënyrë impulsive apo për të qëndruar totalisht pasivë.

2. Identifikoni faktorët tuaj financiarë që mund t’ju shkaktojnë stres dhe bëni një plan. Kjo do të thotë të bëni një analizë të mirëfilltë të gjithë gjendjes tuaj financiare dhe të shikoni në mënyrë të qartë çfarë shkon dhe nuk shkon dhe çfarë mund ose çfarë shkakton stresin tuaj. Analizoni se si ju ose familja juaj mund menaxhoni financat tuaja më mirë, duke shpenzuar më pak ose duke gjetur burime të tjera financiare. Kjo mund të duket si stresuese në vetvete, por është një shqetësim afatshkurtër, i cili do t’ju mundësojë një situatë më të qetë dhe më të përmirësuar në të ardhmen në një periudhë afatgjatë.

3. Analizoni se si ju vetë reagoni ndaj stresit të lidhur me paratë. Në kohë të vështira ekonomike disa njerëz e kanë më të lehtë ta përballojnë stresin nëpërmjet disa aktiviteteve jo të shëndetshme si duhanpirja, alkooli, lojërat e fatit apo e ngrëna e tepërt. Situata e stresit shpesh mund të çojë edhe në situata konfliktuale brenda familjes. Kini shumë kujdes nga këto sjellje, jo vetëm për veten tuaj, por edhe për të afërmit tuaj – është më mirë të kërkoni ndihmë të specializuar nga psikologët në këto raste, sepse situata mund të përkeqësohet.

4. Është shumë e rëndësishme që këto situata të vështira të kthehen në mundësi për rritje të vërtetë dhe ndryshim. Kohë të vështira si këto, edhe pse kanë në thelb krizën ekonomike, mund të ofrojnë mundësi për të analizuar më së miri situatën aktuale dhe për ta shfrytëzuar atë për të bërë ndryshimet e duhura. Mendoni për mënyrat se si këto sfida ekonomike mund t’ju motivojnë për të kapërcyer stresin. Shpesh herë edhe një shëtitje mund të mjaftojë – është një mënyrë pa shpenzime për tu qetësuar si nga ana fizike ashtu edhe mendore. Një darkë në shtëpi me miqtë dhe ta afërmit tuaj, jo vetëm që ju bën të kurseni, por edhe ju përmirëson gjendjen tuaj shpirtërore.

5. Kërkoni për ndihmë profesionale financiare. Këshillat e profesionistëve dhe shpjegimi i situatës mund t’ju ndihmojnë të kuptoni dhe të kontrolloni situatën tuaj ekonomike. Ndërkohë që nëse keni përshtypjen që stresi ju ka vënë poshtë dhe nuk e përballoni dot, atëherë mund të kërkoni edhe ndihmën e një psikologu i cili mund t’ju ndihmojë për të kontrolluar emocionet që burojnë nga gjendja juaj financiare, për të menaxhuar stresin dhe për të ndryshuar zakonet tuaja jo të shëndetshme. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori