Si e siguroi Barcelona në fshehtësi transferimin e Anthony Gordonit

Barcelona ka ndjekur një qasje më diskrete gjatë afatit kalimtar të verës, me drejtorin sportiv Deco që ka punuar në heshtje për të siguruar objektivat kryesore të klubit, raporton “SPORT”.
Kjo strategji është vërejtur veçanërisht në operacionin për transferimin e Anthony Gordonit. Deco e kishte identifikuar sulmuesin anglez si opsionin e tij të preferuar për repartin ofensiv, kryesisht për shkak të aftësisë së tij për të luajtur si në krah, ashtu edhe në qendër të sulmit.
Sipas raportimit, Deco udhëtoi drejt Londrës gjatë negociatave për Gordonin, ndërsa vizita e dytë e tij në kryeqytetin anglez ndodhi në një moment kur edhe Liverpooli kishte shfaqur interesim për reprezentuesin anglez.

Drejtori sportiv i Barcelonës zhvilloi bisedime me përfaqësuesit e Gordonit, ndërsa vëmendja e mediave ishte e përqendruar te objektiva të tjerë të mundshëm ofensivë të klubit katalunas. Kjo i mundësoi Barcelonës që të punonte në mënyrë më diskrete për marrëveshjen.
Edhe trajneri Hansi Flick e kishte dhënë miratimin për transferimin. Gjermani diskutoi për Gordonin me Decos dhe gjithashtu pati një bisedë të drejtpërdrejtë me futbollistin, duke i dhënë dritën jeshile operacionit.
Në fund, Barcelona e kompletoi transferimin për 70 milionë euro, me 10 milionë të tjera të mundshme përmes bonuseve. Gordon ka nënshkruar kontratë me klubin katalunas deri në vitin 2031.

Ky ishte transferimi i parë i madh i Barcelonës për sezonin 2026/27. Gordon i është bashkuar gjigantit katalunas pas tri sezoneve e gjysmë të kaluara te Newcastle United. /Telegrafi/








































