Mourinho nuk ndryshon planin për Yan Diomanden pas humbjes së Real Madridit

Real Madridi ka përfunduar gjashtë transferime për ekipin e parë gjatë afatit kalimtar të kësaj vere, ndërsa Yan Diomande ishte përforcimi më i shtrenjtë në historinë e klubit.
Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho e pësoi të premten humbjen e parë të sezonit, pasi u mposht 1-0 nga Real Betisi me golin e vonshëm të Troy Parrott.
Kjo humbje ka shtuar vëmendjen mbi Diomanden, por plani i Mourinhos për talentin e ri thuhet se nuk ka ndryshuar.

Sipas gazetarit Alvaro Esteban, Mourinho synon ta integrojë gradualisht 19-vjeçarin në skuadër, në vend që ta ekspozojë menjëherë ndaj presionit të madh që vjen me një transferim prej një shume rekord.
Diomande deri më tani ka luajtur vetëm 57 minuta në tri ndeshjet e para të Real Madridit në kampionat, duke dëshmuar qasjen e kujdesshme të trajnerit portugez ndaj tij.
Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë iu bashkua Real Madridit nga RB Leipzigu për 125 milionë euro, ndërsa shuma e transferimit mund të arrijë deri në 140 milionë euro me përfshirjen e bonuseve.

Pavarësisht vlerës së madhe të transferimit dhe pritshmërive që janë krijuar rreth tij, Mourinho beson se Diomande duhet të përshtatet gradualisht me nivelin dhe presionin e Real Madridit. /Telegrafi/









































