Shpat Deda sjell “KATARSIS: Sun, Moon and Stars” në Prishtinë pas dy netëve të suksesshme në Tiranë

Pas dy netëve të suksesshme në Tiranë, Shpat Deda po sjell në Prishtinë projektin e tij më të ri “KATARSIS: Sun, Moon and Stars”.
Koncerti do të mbahet më 14 qershor në hapësirën kulturore “edhe” në Prishtinë dhe synon të ofrojë një përvojë të veçantë muzikore dhe emocionale, ku muzika shndërrohet në një formë çlirimi, reflektimi dhe lidhjeje mes publikut.
I konceptuar në ambient të hapur, në livadhin e hapësirës kulturore, eventi pritet të krijojë një atmosferë unike me muzikë live, ndriçim konceptual dhe qiellin e hapur si pjesë të skenografisë natyrore.

Koncepti i koncertit ndjek simbolikën e trupave qiellorë dhe zhvillohet përgjatë ciklit të natës, duke nisur me perëndimin e diellit, vijuar me lindjen e hënës dhe shfaqjen e yjeve.
Platforma “KATARSIS” u prezantua fillimisht në Tiranë më 28 dhe 29 prill 2026, ku të dy koncertet në Sallën e Akademisë së Arteve u zhvilluan me sallë të mbushur plot.

Edhe në Prishtinë, Shpat Deda do të paraqitet me një repertor që përfshin EP-albumin e tij të fundit, i shoqëruar nga bendi “The Private Jets” dhe trumpetisti i njohur ndërkombëtarisht Raynald Colom, duke sjellë një dimension të ri në skenë.
E menduar si një ngjarje e hapur dhe e përshtatshme për familje, “KATARSIS: Sun, Moon and Stars” synon të jetë një nga mbrëmjet e veçanta të verës, ku muzika, natyra dhe komuniteti bashkohen në një përvojë të përbashkët. /Telegrafi/
Biletat: https://kookooli.com/event/katarsis






























































