Sendet personale të Matthew Perry dalin në ankand, kujtime të rralla nga ylli i “Friends”

Një koleksion sendesh me vlerë që i përkiste aktorit të ndjerë Matthew Perry pritet të dalë në ankand, duke përfshirë objekte të rralla nga jeta dhe karriera e tij.
Të ardhurat nga shitja do të shkojnë për fondacionin e tij, i cili mbështet personat që përballen me varësinë.
Mes artikujve që do të ofrohen për fansat janë skenare të shënuara me dorë, raketa tenisi të përdorura gjatë, kostume të veshura më parë, memorabilie nga Batman, si dhe një pikturë e njohur e Banksy-t. Ankandi do të zhvillohet më 5 qershor në Dallas nga Heritage Auctions, shkruan DailyMail.

Matthew Perry, i njohur për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends”, ndërroi jetë në vitin 2023 në moshën 54-vjeçare pas një mbidoze me ketaminë.
Ai kishte luftuar prej vitesh me varësinë, e njëjta sfidë që fondacioni i tij synon të ndihmojë.

Sipas përfaqësuesve të ankandit, objektet e tij personale pasqyrojnë një pjesë të rëndësishme të jetës së aktorit dhe lidhjen e tij me fansat dhe projektet artistike.
Disa prej sendeve, si skica e hershme e serialit “Friends” kur projekti quhej “Six of One”, ofrojnë një vështrim të rrallë në zhvillimin e një prej sitcom-eve më të famshme në botë.
Gjithashtu në koleksion përfshihen edhe raketat e tij të tenisit, të cilat tregojnë përdorim të madh ndër vite, duke reflektuar pasionin e tij për këtë sport që nga fëmijëria. /Telegrafi/
























































