Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se forcat ruse kanë ndezur zjarr në centralin bërthamor në jug të Ukrainës.

Zjarri mund të shihet duke u ngritur në qiell në centralin bërthamor të Zaporizhzhia, që është pushtuar nga forcat ruse nga fillimi i luftës në Ukrainë, transmeton Telegrafi.


Në postimin e tij në rrjetin social X, Zelensky tha se nivelet e rrezatimit në Zaporizhzhia mbeten në nivele të normales.

Ai shpërndau videon ku shihet zjarri, e në anën tjetër zyrtarë lokalë në qytetin e Nikopolit që kanë pamje drejt centralit bërthamor, thanë se rusët i vunë zjarrin gomave në kullën ftohëse.

Zelensky u ka bërë thirrje banorëve të atjeshëm të ruajnë gjakftohtësinë, derisa autoritetet ruse thanë se zjarri shpërtheu në afërsi të kullës ftohëse dhe se ekipet e zjarrfikësve po tentojnë ta shuajnë. /Telegrafi/