Rooney nuk ka dyshime: Ky lojtar i Anglisë është më i miri në Kupën e Botës


Wayne Rooney beson se Jude Bellingham ka qenë futbollisti më i mirë i Kupës së Botës 2026, duke lavdëruar mesfushorin anglez për paraqitjet e tij të jashtëzakonshme gjatë turneut.
Bellingham ka shënuar gjashtë gola deri më tani, duke realizuar nga dy gola në fitoret e Anglisë ndaj Meksikës dhe Norvegjisë.
Vetëm Harry Kane dhe Gary Lineker kanë zhvilluar më shumë ndeshje me dy ose më shumë gola për Anglinë në historinë e Kupës së Botës sesa Bellingham. Ndërsa në historinë e turneut, i vetmi mesfushor me më shumë ndeshje të tilla është peruani Teofilo Cubillas, me tri.
Rooney, megjithatë, mendon se ylli i Real Madridit ka qenë lojtari më i mirë i këtij Botërori.
“Kur flasim për më të mirin në botë, mendoj se janë lojtarë si Kylian Mbappe ose Erling Haaland. Bellingham nuk ka arritur plotësisht atë nivel me Real Madridin këtë sezon, por për mua ai ka qenë lojtari më i mirë i këtij turneu”.
“I gjithë suksesi i Judes vjen nga energjia, pasioni, dëshira dhe etja për të fituar. Pikërisht kështu ai po shpërblehet”.

“Kjo është shumë e rrallë. Shumë prej futbollistëve më të mirë mbështeten te cilësia dhe teknika për të bërë diferencën. Jude ka uri dhe dëshirë të jashtëzakonshme, dhe është kënaqësi ta shohësh duke luajtur në nivelin më të lartë”.
“Kjo është ajo që duan tifozët, veçanërisht ata të Anglisë. Ata duan të shohin lojtarë që luftojnë dhe japin gjithçka për skuadrën dhe fanellën”.
“Ai më kujton mua. Një moment mendon se është gjeni, ndërsa në tjetrin thua: 'Mos hyr në atë ndërhyrje, mos u përjashto'. Pikërisht kështu isha edhe unë. Por ai po e dëshmon veten në turneun më të madh. Kishte shumë dyshues, por ai ua ka mbyllur gojën të gjithëve”.
Bellingham dhe Harry Kane kanë realizuar nga gjashtë gola secili në këtë Kupë Bote, duke u bërë hera e parë që Anglia ka dy futbollistë me të paktën gjashtë gola në një edicion të vetëm të turneut.
Tashmë "Tre Luanët" do të përballen me Argjentinën në gjysmëfinale, ndërsa fituesi i këtij dueli do të luajë në finale ndaj Spanjës./Telegrafi/












































