Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kanë nënshkruar sot një marrëveshje të re bashkëpunimi për rikthimin dhe zhvillimin e projektit tradicional “Akordet e Kosovës” në kuadër të programit të RTK-së.

Marrëveshja u nënshkrua nga U.D. Drejtoresha e Përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, dhe ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, në prani të kryetarit të Bordit të RTK-së Dardan Beqiri, U.D. drejtorit të Televizionit Rilind Gërvalla, si dhe këshilltarit të lartë të MKRS-së Muhedin Nushi.


Sipas marrëveshjes, nën ombrellën e “Akordeve të Kosovës” do të jetë Festivali i Këngës në RTK, ndërsa risi e këtij rikthimi është edhe festivali për fëmijë, i cili për herë të parë do të organizohet nga RTK në këtë skenë të madhe.

Ky bashkëpunim synon fuqizimin e skenës muzikore vendore, promovimin e talenteve të reja dhe avancimin e prezencës së Kosovës në ngjarjet ndërkombëtare të muzikës.

RTK ka theksuar se është e gatshme për misionin e saj drejt pjesëmarrjes në “Eurovision Song Contest” dhe “Junior Eurovision Song Contest”, të organizuara nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), duke e konsideruar këtë projekt si një platformë të rëndësishme për afirmimin e muzikës dhe artistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.

Marrëveshja e re paraqet vazhdimësi të bashkëpunimit paraprak trevjeçar mes RTK-së dhe Ministrisë së Kulturës, i cili kishte përfunduar këtë vit. Palët janë pajtuar që të angazhohen bashkërisht në organizimin e festivalit, zhvillimin e programeve trajnuese për artistët dhe promovimin e muzikës kosovare.

Detajet rreth datave, formatit dhe mënyrës së aplikimit pritet të publikohen nga RTK dhe MKRS në ditët në vijim.

“Akordet e Kosovës” konsiderohet si festivali i parë dhe ndër më të rëndësishmit e muzikës shqipe në Kosovë. I themeluar në vitin 1963 nga Radiotelevizioni i Prishtinës, festivali ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e muzikës argëtuese, popullore dhe asaj për fëmijë, duke promovuar gjenerata të tëra kompozitorësh dhe këngëtarësh.

Pas mungesës shumëvjeçare të një festivali të tillë, RTK – në kuadër të marrëveshjes paraprake me Ministrinë e Kulturës – organizoi tri edicione të Festivalit të Këngës, duke sjellë një dimension të ri në jetën kulturore të vendit.

Fitues i edicionit të parë ishte La Fazani (Arbër Salihu) me këngën “Oj Kosovë”, edicionin e dytë e fitoi Endrit Krasniqi me “Flas me gjethen”, ndërsa në edicionin e tretë triumfoi Arsi Bako me këngën “Rreze zjarri”. /Telegrafi/