Real Madrid po heziton të pranojë ofertën prej 60 milionë nga klubi anglez për sulmuesin që nuk llogarit edhe aq shumë

Fulhami ka bërë një lëvizje të fuqishme në afatin kalimtar të verës, duke i ofruar Real Madridit 60 milionë euro për transferimin e plotë të sulmuesit të ri, Gonzalo Garcia, raporton AS.
Oferta e klubit londinez është dukshëm më e lartë se formula që kishte preferuar Reali, i cili ishte i gatshëm të pranonte rreth 30 milionë euro në këmbim të 50 për qind të kartonit të lojtarit.
Megjithatë, drejtuesit madrilenë hezitojnë ta shesin plotësisht 22-vjeçarin, pasi e konsiderojnë një nga talentet më premtues të klubit.
Gonzalo ka nisur fazën përgatitore me synimin për të fituar një vend në ekipin e parë të drejtuar nga Jose Mourinho. Sulmuesi ka lënë përshtypje shumë të mira gjatë javës së parë të stërvitjeve në Valdebebas dhe madje realizoi edhe një gol në ndeshjen miqësore ndaj Leganés.
Megjithatë, konkurrenca e madhe në repartin ofensiv të Real Madridit ka bërë që klubi të shqyrtojë mundësinë e largimit të tij, ndërsa një transferim me vlerë 60 milionë euro do të ishte një përfitim i rëndësishëm financiar.

Reali kërkon të ruajë kontrollin, Fulhami insiston në blerje të plotë
Real Madridi dëshiron të mbajë njëfarë kontrolli mbi të ardhmen e Gonzalos, ndaj preferon një formulë që do t'i lejonte të ruante një pjesë të të drejtave të lojtarit. Një model i tillë është përdorur edhe në marrëveshjet e mëparshme me Nico Paz, Jacobo Ramón dhe më herët me Brahim Diaz.
Në anën tjetër, Fulhami nuk dëshiron një marrëveshje të pjesshme. Klubi anglez synon ta ndërtojë projektin e tij rreth sulmuesit spanjoll dhe për këtë arsye kërkon pronësinë e plotë të kartonit të tij.
Sipas raportimeve, trajneri i Fulhamit, Alvaro Arbeloa, i cili e ka stërvitur Garcian te Castilla, e sheh atë si një lojtar kyç për të ardhmen e skuadrës.

Edhe pse palët ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për formulën e transferimit, negociatat po vazhdojnë dhe një marrëveshje konsiderohet e mundshme. Nëse gjithçka përfundon me sukses, Gonzalo Garcia pritet ta vazhdojë karrierën në Ligën Premier. /Telegrafi/












































