Pushim historik në finalen e Botërorit: FIFA pritet të zgjasë pauzën e pjesës së parë në 25 minuta


Finalja e Kupës së Botës pritet të sjellë një ndryshim të pazakontë, pasi pushimi mes dy pjesëve mund të zgjasë deri në 25 minuta për shkak të spektaklit muzikor të planifikuar, në stilin e finales së Super Bowl.
Sipas raportimeve, pauza në finalen e Botërorit që do të zhvillohet të dielën në stadiumin “New York New Jersey” mund të zgjasë nga 20 deri në 25 minuta.
Arsyeja kryesore është organizimi i një shfaqjeje të madhe muzikore 11-minutëshe, ku pritet të jenë pjesë disa nga emrat më të mëdhenj të skenës botërore.
Mes artistëve kryesorë të përfolur për këtë spektakël janë Madonna, Shakira dhe grupi i njohur koreano-jugor i K-pop-it, BTS.

Burime pranë FIFA-s kanë bërë të ditur se opsioni kryesor është që pushimi të zgjasë rreth 20 minuta, ndërsa një tjetër mundësi është që pas 15 minutave të zakonshme të zhvillohet programi muzikor i planifikuar.
Sipas rregullave të futbollit të përcaktuara nga Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit (IFAB), lojtarët kanë të drejtë për një pushim maksimal prej 15 minutash mes dy pjesëve të një ndeshjeje.
Megjithatë, FIFA ka aplikuar një format të ngjashëm edhe më herët. Në finalen e Kupës së Botës për Klube të vitit të kaluar, e zhvilluar gjithashtu në New Jersey, pushimi zgjati gjithsej 24 minuta për shkak të programit muzikor, ku performuan artistë si Coldplay, J Balvin, Doja Cat, Tems dhe Emmanuel Kelly.
Edhe finalja e këtij Botërori do të shoqërohet me një spektakël madhështor.
Në program janë përfshirë edhe Justin Bieber, Burna Boy, Gustavo Dudamel dhe kori PS22, ndërsa pjesë e organizimit është edhe grupi Coldplay. Shfaqja është konceptuar dhe prodhuar nga lideri i Coldplay, Chris Martin.
Zgjatja e pushimit do të nënkuptonte një shkelje të rregullave standarde të futbollit nga vetë FIFA, pasi ligjet e lojës përcaktojnë qartë se intervali mes dy pjesëve nuk duhet të kalojë 15 minuta.
Finalja e Kupës së Botës do të nisë në orën 15:00 sipas kohës lokale, ose 21:00 sipas kohës së Evropës Qendrore, ndërsa ceremonia para ndeshjes do të fillojë rreth një orë e gjysmë më herët.
Në ceremoninë hapëse pritet të marrin pjesë emra të njohur si Tom Cruise, Laura Pausini, Nicole Scherzinger, Robbie Williams dhe ylli i internetit IShowSpeed, ndërsa himni kombëtar amerikan do të interpretohet nga Jennifer Hudson.
Spanja siguroi një vend në finale pasi mposhti Francën me rezultatin 2-0 në gjysmëfinale të zhvilluar në Dallas.
“La Roja” do të përballet për trofeun e kampionit të botës me fituesin e duelit tjetër gjysmëfinal mes Anglisë dhe Argjentinës. /Telegrafi/












































