Prishtina me krenari e prezanton Malsor Gjonbalajn si udhëheqës i Këshillit Profesional

FC Prishtina ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me Prof. Malsor Gjonbalajn, i cili i është bashkuar klubit si udhëheqës i Këshillit Profesional.
Në komunikatën e klubit theksohet se, përveç angazhimit akademik, prof. Gjonbalaj ka dhënë prej vitesh kontribut të rëndësishëm në futbollin kosovar, ndërsa kualifikimet e tij në fushën akademike, shkencore dhe profesionale konsiderohen si dëshmi e profilit të tij dhe e synimit të klubit për të afruar figura të rëndësishme në strukturat drejtuese.
Sipas FC Prishtinës, Prof. Gjonbalaj do të ketë rol të rëndësishëm në hartimin e planeve të përgjithshme zhvillimore të klubit, me fokus të veçantë në avancimin e Akademisë së të Rinjve, si pjesë e objektivave afatgjata të “bardhekaltërve”.
Klubi shpreh bindjen se angazhimi dhe vizioni i tij do të ndihmojnë në forcimin e mëtejshëm të FC Prishtinës dhe në arritjen e synimeve për suksese më të mëdha në të ardhmen.
Gjonbalaj ka luajtur te Prishtina për disa sezone, në periudha të ndryshme, ku ishte i njohur për lojërat e tij në sulm dhe golat e shumtë.
“Mirë se u ktheve në familjen bardhekaltër, Prof. Gjonbalaj!”, përfundon komunikata e FC Prishtinës. /Telegrafi/


































