Interesimi i Arsenalit për yllin e Real Madridit, Vinicius Jr, thuhet se lidhet me një premtim që Mikel Arteta bëri dy vite më parë, kur foli për ambicien e klubit për të garuar për futbollistët më të mëdhenj në botë.

“Topçinjtë” janë në mesin e klubeve që po e monitorojnë situatën e brazilianit, pasi bisedimet për rinovimin e kontratës me Real Madridin kanë ngecur. Me vetëm një vit të mbetur në marrëveshjen aktuale, pasiguria rreth të ardhmes së tij ka hapur derën për klubet e interesuara.


Arsenali e vlerëson shumë 26-vjeçarin dhe po e shqyrton mundësinë nëse një marrëveshje mund të bëhet realitet, në rast se Real Madridi vendos ta lejojë largimin e tij këtë verë.

Ky interes përputhet me qëndrimin që Arteta kishte shprehur publikisht në vitin 2024, kur kishte insistuar se Arsenali duhet të jetë gjithmonë i pranishëm sa herë që në treg shfaqen lojtarët elitarë.

“Pikërisht. Pse jo? Nëse duam të jemi skuadra më e mirë, atëherë duhet të kemi lojtarët më të mirë, kjo është e sigurt. Kur një lojtar i atij niveli është në treg, ne gjithmonë duhet të jemi pjesë e atij diskutimi”, kishte thënë Arteta.

Këto deklarata janë rikthyer në qendër të vëmendjes teksa vazhdojnë lidhjet e Arsenalit me Viniciusin, situata e kontratës së të cilit është shndërruar në një nga temat më të nxehta të merkatos së verës.

Megjithatë, pavarësisht admirimit të Arsenalit për brazilianin, ende nuk ka asnjë marrëveshje zyrtare.

Raportimet nga Spanja tregojnë se londinezët nuk kanë bërë ende kontakt të drejtpërdrejtë me rrethin e lojtarit, ndërsa Vinicius vazhdon ta ketë prioritet qëndrimin te Real Madridi, nëse palët arrijnë kompromis për kontratën e re./Telegrafi/

telegrafi sport app