Chet Hanks, 35-vjeçari, djali i aktorit të famshëm Tom Hanks dhe Rita Wilson, ka zbuluar se po jeton një mënyrë mjaft jo të zakonshme. Aktori i serialit “Running Point”, i cili së fundmi është rikthyer në Netflix, ishte i ftuar në emisionin e Jimmy Fallon dhe tregoi se jeton në një kamp-shtëpizë në Nashville, ku njëkohësisht po ndërton edhe karrierën e tij muzikore.

Hanks, i cili me bendin Something Out West i është përkushtuar muzikës country, konfirmoi se është zhvendosur në një park me kamp-shtëpizën e tij, pikërisht për shkak të karrierës. Ai shpjegoi pse zgjodhi këtë zgjidhje, në vend që të blinte një apartament.


“Nuk doja të blija apartament, sepse sapo kisha rregulluar një në Los Angeles. Nuk më bëhej ta kaloja gjithë atë proces nga e para dhe ta mobiloj sërish. Qëndroja në banesa me qira dhe hotele, por me kalimin e kohës u lodha, sepse më pëlqen të kem hapësirën time”, tha ai.

Foto: Getty Images

Ai zbuloi se ideja për një jetë më minimaliste i lindi pas një udhëtimi të fundit në Carmel-by-the-Sea në Kaliforni.

“Qëndrova në një Airstream dhe më pëlqeu shumë. Mendova: ‘O njeri, dua një të tillë’. Dhe kështu e mora”, tregoi Hanks.

Ai shtoi se shtëpia e tij “mbi rrota” ka gjithçka që i duhet: “Kam kuzhinën time dhe kabinën e dushit, që është shumë e rëndësishme te prikolicat, sepse nganjëherë tualeti dhe dushi janë në të njëjtën hapësirë. Kjo quhet ‘banjë e lagësht’”.

Hanks foli edhe për përditshmërinë e tij në park, duke theksuar se ndryshe nga ç’mund ta imagjinojnë njerëzit, aty jetojnë kryesisht pensionistë.

- YouTube youtu.be

“Besoj se jam personi më i ri aty, dhe këtë me 30 ose 40 vjet diferencë. Nuk është siç e mendojnë njerëzit. Shumë mendojnë se jeta në prikolicë është e dyshimtë ose e pasigurt, por në fakt aty jetojnë kryesisht të moshuar. Njerëz të mrekullueshëm”, u shpreh ai.

Jimmy Fallon e pyeti nëse i shfrytëzon edhe “komfortet” e parkut, si takimet e përbashkëta rreth zjarrit.

“Kam jashtë një vend për zjarr kampi, një vatër, dhe e kam përdorur. Por shumicën e kohës bëj atë që do të bëja edhe në shtëpi: rri brenda, shtrihem në shtrat dhe shikoj Netflix e gjëra të tilla”, përfundoi ai. /Telegrafi/