LAJMI I FUNDIT:

Paralajmërimi i Diego Simeones: Një ditë dua të rikthehem në Serie A

Paralajmërimi i Diego Simeones: Një ditë dua të rikthehem në Serie A

Diego Simeone është futur në vitin e 11-të në krye të gjigantit spanjoll Atletico Madrid.

Ishte 23 dhjetori i vitit 2011 kur ‘Cholo’ mori drejtimin e kryeqytetasve spanjoll dhe që nga ajo kohë ka drejtuar këtë skuadër në 558 ndeshje zyrtare.


Por trajneri argjentinas vazhdon të ketë dashuri të madhe për Italinë, ku ka kaluar vite të mira të karrierës si futbollist, por edhe pati përvojën e parë në Evropë si trajner pikërisht në Serie A.

Simeone e drejtoi skuadrën italiane Catania për gjashtë muaj, duke bërë mjaftë mirë në futbollin italian.

51-vjeçari ka deklaruar se e do futbollin italian dhe se një ditë do të rikthehet për të drejtuar në Serie A, pasi ka skuadra të mëdha në këtë kampionat.

“Kam një kujtim të mrekullueshëm nga futbolli italian. Kam mësuar shumë si lojtar por edhe si trajner. Jam pjekur në Itali dhe do të doja të kthehesha atje në të ardhmen si trajner. Ka ekipe të mëdha në Serie A dhe ka një nivel të mirë”, deklaroi Simeone.

Argjentinasi thotë se është mirë te Atletico, por e di që edhe aty do t’i vije një ditë fundi dhe do të largohet nga kryeqyteti spanjoll.

“Aktualisht jam shumë mirë këtu ku jam te Atletico, por gjithçka përfundon në jetë dhe në futboll. Herët a vonë do të më duhet të largohem edhe nga Atletico Madrid”, u shpreh tekniku argjentinas. /Telegrafi/