LAJMI I FUNDIT:

Ofertë zyrtare nga Anglia, Fenerbahce po vlerëson shitjen e Vedat Muriqit

Ofertë zyrtare nga Anglia, Fenerbahce po vlerëson shitjen e Vedat Muriqit

Vedat Muriqi është duke i kaluar ditët e tij të fundit si futbollist i gjigantit turk Fenerbahce.

Sulmuesi nga Kosova është ndër lojtarët më të kërkuar në tregun e transferimeve dhe pritet largimi i tij në drejtim të ndonjërit nga kampionatet më të forta në Evropë.


Serie A dhe Liga Premier janë dy destinacionet më të mundshme për Muriqin, pasi ai kërkohet nga Roma, Lazio, Fiorentina, WBA, Tottenham Hotspur e Leicester City.

Gjithsesi skuadra e rikthyer në elitën e futbollit anglez, West Bromwich Albion ka bërë një hap për transferimin e Muriqit.

WBA ka bërë ofertë zyrtare në drejtim të Fenerbahces për yllin kosovar, duke ofruar 17 milionë euro.

Gjithsesi oferta është ende larg kërkesës së Fenerbahces, që po dëshiron të fitojë 25 milionë euro nga shitja e Muriqit.

Fotomac ka raportuar se palët mund të arrijnë një marrëveshje së shpejti, nëse WBA ngrit për disa milionë euro ofertën e tyre dhe Fenerbahce ul kërkesat e tyre.

26-vjeçari ka shkëlqyer në vitin e tij të parë me gjigantin turk, pasi ka shënuar 17 gola e ka bërë shtatë asistime në 36 ndeshje zyrtare.

Trajneri i West Bromwich Albion, kroati Slaven Bilic po e kërkon me ngulm prizrenasin dhe Muriqi duket se i ka dhënë fjalën trajnerit se do të bashkohet me të në elitën e futbollit anglez.

Gjithsesi tani i mbetet dy klubeve të arrijnë gjuhë të përbashkët që ky transferim të zyrtarizohet. /Telegrafi/