LAJMI I FUNDIT:

Nis ndërtimi i terminalit të gazit të lëngshëm në Greqi, opozita kërkon llogari nga Kurti që nuk iu bashkua projektit

Nis ndërtimi i terminalit të gazit të lëngshëm në Greqi, opozita kërkon llogari nga Kurti që nuk iu bashkua projektit

Në Aleksandropolis të Greqisë, sot është mbajtur ceremonia e fillimit të punimeve për ndërtimin e terminalit të gazit të lëngshëm natyror (LNG).

Brukseli zyrtar thotë se ndërtimi i këtij terminali do të ndihmojë Bashkimin Evropian të zvogëlojë varësinë e tij nga gazi rus sa më shpejt të jetë e mundur.


Projekti do të sigurojë burime dhe rrugë të reja për furnizimin me gaz natyror dhe do të përmirësojë sigurinë e furnizimit në Greqi, Bullgari dhe vende të tjera në rajonin e Evropës Juglindore, tha Këshilli Evropian.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, ai i Bullgarisë Kiril Petkov dhe shefi i qeverisë së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaqevski, por edhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por në përurimin e një projekti të tillë, që njihet si i sponsorisuar nga SHBA-ja, nuk ishin përfaqësues nga Kosova.

Për këtë ka pasur reagime nga opozita në Kosovë.

Kosova nuk e çon përpara projektin amerikan për gazin, Rizvanolli: Do ta shfrytëzojmë investimin e alokuar për investime me risk më të ulët
Lexo po ashtu Kosova nuk e çon përpara projektin amerikan për gazin, Rizvanolli: Do ta shfrytëzojmë investimin e alokuar për investime me risk më të ulët

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar ashpër kryeministrin e  Kosovës, Albin Kurti, pasi sipas tij ky i fundit refuzoi rreshtimin e Kosovës me ShBA-në për këtë projekt.

“Në këtë kohë kur në Washington DC po mbahet ngjarja më e madhe e largimit nga gazi rus me shtetet lidere në diversifikim të energjisë, Kosova nuk është aty.

Albin ku je ti? Ku është Kosova?

Duhet të japësh përgjegjësi dhe llogari se pse ke refuzuar rreshtimin e Kosovës me ShBA”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, refuzimin e projektit të gazsjellësit amerikan e quan gabim strategjik të Qeverisë së Kosovës.

“Gazsjellësi i mbështetur nga SHBA-ja do të fuqizonte dhe diversifikonte resurset energjetike të Republikës së Kosovës. Për më tepër, në nivelin strategjik dhe gjeopolitik, ky gazsjellës është një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë e dominancës së gazit rus në Evropë”, ka thënë ajo.

Edhe kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka kritikuar qeverinë për refuzimin e  këtij projekti.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se janë disa projekte strategjike që nuk kanë çmim dhe as nuk maten me studime fizibiliteti.

“Janë disa projekte strategjike të cilat nuk kanë çmim dhe as nuk maten me studime fizibiliteti. Një i tillë është projekti amerikan i gazit të lëngshëm natyror (LNG), thelbësor për diversifikimin e burimeve të energjisë në Evropë. Sot u bë përurimi i terminalit të LNG-së në portin grek të Alexandropolit, investim ky amerikan dhe i BE-së. Përderisa udhëheqësit e Kosovës janë hedhur në ofensivë për të “bindur” botën kush është Vuçiqi, e kush Putini dhe cila është lidhja në mes të tyre, ky i pari sot ishte prezent në përurimin e terminalit në Greqi. Kosova, jo vetëm që po mungon, por në mënyrë krejt të papërgjegjshme qeveria jonë refuzoi të jetë pjesë e këtij projekti. Kjo vërtetë është diplomaci shumë e hollë!!!”, ka deklaruar Murati.

Në shtator të vitit të kaluar, qeveria ka njoftuar se Kosova nuk do të vazhdojë përpara me projektin për ndërtim të infrastrukturës së gazit në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kovaçevski: Terminali i gazit në Aleksandropoli është ngjarje historike për rajonin
Lexo po ashtu Kovaçevski: Terminali i gazit në Aleksandropoli është ngjarje historike për rajonin

“Ne kemi nevojë për më shumë informata për të qenë të sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazsjellësit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik, ndërsa nga ana tjetër MCC ka afate strikte kohore për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kompaktit”, kishte deklaruar ministrja Rizvanolli./Telegrafi/